Grindja në BE për ndërrimin e orës

Kancelarja Angela Merkel, pas 16 vjetësh menaxhim krizash të vazhdueshme, u largua nga skena evropiane me duartrokitje nga të gjithë koleget e kolegët në samitin e BE-së, javën e shkuar. Por, një krizë nuk e zgjidhi dot e ashtuquajtura “makineria e kompromisit” – ndërrimin e orës. Këtë të diele ky ritual vjen sërish. E gjithë BE e ndërron orën në orën e dimrit, duke e kthyer një orë pas.

Ndërrimi i orëve duhet hequr, e thanë qartë qytetaret e qytetarët e BE-së në një sondazh në vitin 2018. Komisioni dhe Parlamenti Evropian e mbështetën këtë ide. Por, Këshilli i BE-së, pra përfaqësia e 27 vendeve anëtare, nuk mund bie në ujdi që nga viti 2019 kur filluan konsultimet. Angela Merkel dhe të tjerët në Këshillin e BE-së e injoruan këtë problem dhe justifikoheshin me atë se duhet të kujdesemi njëherë për Brexit-in, për klimën, për koronavirusin e tema të tjera të rëndësishme.

Një justifikim i pavend, sepse në fund të fundit këtu bëhet fjalë për vullnetin e qytetarëve dhe premtimin e qartë para zgjedhjeve evropiane 2019, për ta lënë pas ndërrimin e panevojshëm të orës. E, nuk duhet të jetë kaq e vështirë, mendojnë të gjithë ata që nuk kanë dijeni për burokracinë evropiane dhe për kompleksitetin e interesave të shteteve anëtare e që as nuk duan të merren me to. Disa vende duan të kenë përgjithmonë orën e verës; të tjerët duan të mos e lëvizin orën e dimrit. Njëra palë thotë se del drita shumë vonë, kurse pala tjetër ankohet se errësohet shumë herët. Në BE fillojnë e kthehen mbarë e mbrapsht tabela me kohën e daljes dhe largimit të yjeve. Ata që kanë rezerva shprehen se parë nga ana gjeografike, e gjithë Franca duhet të kalojë në një zonë tjetër kohore në perëndim. Polonia po ashtu në një zonë më lindore. Disa eurodeputetë nuhasin ardhjen e kaosit me kohët e ndryshme dhe fundin e tregut të përbashkët evropian, nëse çdo vend anëtar e vendos si të dojë orën. Kjo sigurisht është e pakuptimtë, sepse në BE ora e verës dhe e dimrit është njësuar për të gjithë nga viti 2002.

Kjo zvarritje turpëruese e BE-së për një çështje të thjeshtë tregon në fakt problemet themelore të Unionit edhe në mënyrën e veprimit me pandeminë, klimën, Kinën, shtetin ligjor në Poloni: Shtetet anëtarë përcaktojnë kryesisht se nga shkon rruga – nëse një ose dy prej tyre dalin kundër, asgjë nuk ecën përpara. Nuk ka pra një qendër diktatoriale në Bruksel, si e fantazojnë populistët në Poloni dhe në Hungari, që madje as gjëra kaq të thjeshta si ndërrimin e orës nuk e zgjidh dot vetë. Gjithmonë duhen kompromise dhe kohë, shumë kohë, që të arrihet një zgjidhje.

Parë nga jashtë, kjo bukuri komplekse e BE e kësaj ore të madhe me emrin BE është irrituese, madje shumë problematike. Një komunitet që pas tre vjetëve me pallavra nuk arrin të bjerë në ujdi për një ndërrim ore, do të luajë një rol të fuqishëm sovran në botë, do të ketë peshë politike në arenën e politikës ndërkombëtare dhe lidership? Qesharake! Ky ndërrim ore këtë të diele duhet të jetë i fundit!

Por, si thuhet, koha sjell këshilla! Këtë herë duhet që Këshilli ta gjejë një zgjidhje, se ai është përgjegjës për këtë gjendje.