Arjanit Hoxha: Besa është amanet! Rexhepi: Për Besën të tregon Baci

Deputeti Kastriot Rexhepi ishte mysafir në ClickPlus në TV21. Derisa zhvillonte intervistën e tij dhe fliste për pozicionin e partisë nga ku u përjashtua, Lëvizja Besa, sekretari i kësaj partie, Arjanit Hoxha shkroi në profilin e tij:

“Politika është “sport” i rëndë. BESA është amanet që e bartin vetëm ata që nuk dorëzohen asnjëherë!”

Për këtë u pyet Rexhepi në emision.

Tha se ai është themelues i Lëvizjes Besa dhe se Arjanit Hoxha u është bashkëngjitur më vonë.
Konkretisht për çështjen e amanetit, Rexhepi i reagoi Hoxhës duke thënë se “për amanetin e Besës të tregon baci”, duke rënë gjoks.

“Besa është amanet. Unë jam themelues i Lëvizjes Besa. Zotëri Arjanit Hoxha ka ardhur më vonë si pjesë e këshillit opozitar dhe na është bashkëngjitur. Ne nuk kemi bërë dallim se a je prej në fillim apo më vonë. Të gjithë janë të barabartë, mirëpo sa për amanetin e Lëvizjes Besa, tregon baci se e kam themeluar, kam vepruar, dhe deri dje në fjalimet e tij kam qenë deputeti më i zëshëm i Lëvizjes Besa në Parlament”, tha Rexhepi.