Pronari i “Besa Transit”: Në autobus nuk kishte lëndë djegëse, tubat ishin me ujë

Pronari i “Besa Transit” Bekim Haxhiu është paraqitur në intervistë për BNT-në bullgare. Ai tha se autobusi para se të nisej nga Turqia ka kaluar serviset dhe gjithçka ishte në rregull, transmeton Portalb.mk.

Në intervistën të cilën BNT e kishte realizuar në zyrën e avokatit të tij në Sofje, Haxhiu tha se autobusi është prodhuar në vitin 2007, por është blerë nga kompania e tij rreth tre vjet më parë.

Ai tha se në tur ishin nisur katër autobusë dhe konfirmoi se edhe ai dhe familja e tij ishin pjesë e udhëtimit, por udhëtuan me autobusë të tjerë.

“Udhëtoja me familjen”, tha Haxhiu.

Gjatë kthimit nga Turqia, në autobusin që është nisur i pari, ka qenë ai dhe gruaja e tij. Fëmijët e tij ishin në autobusin e fundit.

Në kufirin bullgaro-maqedonas, në dalje nga Bullgaria, Haxhiu mësoi se autobusi i tij ishte aksidentuar dhe me taksi shkoi në vendin e aksidentit. Me të mbërritur ka qëndruar në vendngjarje për orë të tëra.

Haxhiu nuk pranoi të komentojë versione për aksidentin, pasi hetimi është duke u zhvilluar, por theksoi se tre javë para aksidentit, autobusi i është nënshtruar kontrollit teknik në Maqedoninë e Veriut, duke shtuar se para çdo udhëtimi, të gjitha automjetet e Besa Transit kalojnë nëpër servis.

“Para se të nisemi për në Turqi, i servisojmë, i kontrollojmë, madje kur shkojmë në Stamboll, edhe atje shkojmë në servis, transportojmë pasagjerë, të shohim se si është situata. Gjithçka ishte në rregull atje, ndërsa nëse diçka nuk është në rregull, na tregojnë menjëherë që ta rregullojmë”, tha pronari i Besa Trans.

Haxhiu thotë se në autobus nuk ka pasur bidona me karburant, pasi benzina që kanë mbushur në Stamboll ka mjaftuar që të shkojnë në Shkup dhe më pas të kthehen në Stamboll, ndërsa për shkak të kontrolleve të rrepta në kufijtë bullgarë, përjashton mundësinë që ndonjë udhëtar të ketë sjellë lëndë lehtësisht të djegshme.

“Në çdo autobus ka tuba, por ato janë me ujë, çdo autobus duhet t’i ketë për çdo rast dhe ky është ujë rezervë. Ky është ujë rezervë. Kontroll i rreptë në hyrje të Bullgari, bagazh, shofer dhe gjithçka që bartet”, tha ai në intervistë.

Pronari i “Besa Trans” tha se shoferët e autobusit ishin profesionistë me shumë përvojë, të cilët e kanë kaluar shumë herë këtë relacion. Sipas tij, për këtë rrugë 12-orëshe kanë mjaftuar dy vozitës dhe rreptësisht është respektuar orari për pushimin e tyre.

Haxhiu deklaroi edhe se autobusi ka pasur kufizime fabrike dhe nuk ka mundur ta tejkalojë shpejtësinë më shumë se 100 kilometra në orë.

Ndryshe në aksidentin e autobusit të RMV-së në autostradën “Struma” në Bullgarinë Perëndimore, ndërruan jetë 45 persona dhe shtatë të tjerë mbetën të lënduar. Fillimisht autoritetet bullgare konfirmuan se në fatkeqësi kanë ndërruar jetë 44 persona dhe jo 46 siç raportuan paraprakisht, ndërkaq theksuan se kishin shpëtuar 8 persona kanë shpëtuar – prej tyre 7 janë lënduar dhe 1 nuk dihej se ku është. Megjithatë, një ditë më pas, gjatë kontrollit shtesë të autobusit u gjet edhe një trup i pajetë, duke u konfirmuar se numri i viktimave është 45. Autobusi ishte në drejtim të Maqedonisë së Veriut, pasi që ishte nisur nga Stambolli ku udhëtarët kishin qenë për ekskursion. Maqedonia e Veriut shpalli 3 ditë zie, ndërkaq nga të gjitha anët arrijnë telegrame ngushëllimi për familjet e viktimave