Në emisionin “200”, Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Artan Grubi ka folur edhe mbi Korridorin 8 të cilin e ka cilësuar si projekti më i madh infrastrukturor i vendit që nga pavarësia e tij.
Ai ka shpjeguar ecurinë e realizimit të këtij projekti dhe fazën aktuale në të cilën ndodhet realizimi i tij.
“Korridori 8 është projekti më i madh infrastrukturor i vendit që ka pavarësia. Me iniciativën tonë nënshkruam memorandum bashkëpunimi, në emër të Qeverisë e nënshkrova unë me konzorciumin Bechtel Enka në prezencë edhe të ambasadores së SHBA-ve në Qeveri e kemi parë të gjithë. Më pas ai memorandum u miratua nga Qeveria, nga ai memorandum përpiluam ligj të cilin deputetët e propozuan, u miratua ai ligj, konzorciumi Bechtel Enka ka dalë në terren, e ka vizatuar më rrugën dhe ka bërë ofertën më gati për ta dorëzuar në Qeveri në mënyrë që të negociojmë për atë ofertë, ta nënshkruajmë kontratën dhe të fillon me punime. I vetmi problem këtu është që Komisioni Antikorrupcioni e kontestoi ligjin e miratuar në Kuvend dhe e dërgoi në Gjykatën Kushtetuese. Nga 9 anëtarë sa i ka Gjykata Kushtetuese tash funksionon me 6 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Unë shpresoj që brenda javës së ardhshme, jo në seancën e nesërme të Gjykatës Kushtetuese por në seancën e javës së ardhshme, të vihet në rend dite kjo pikë dhe ky kontestim i Antikorrupcionit dhe në mënyrë të favorshme, ashtu siç edhe Qeveria i ka dhënë rekomandimet dhe mendimin e vet mbi ligjin, të vendosë në mënyrë meritore Gjykata Kushtetuese dhe me këtë të largohet çdo pengesë për të negociuar mbi ofertën e Bechtel Enkës për realizimin e Korridorit 8.” – është shprehur Grubi.