Njihuni me pesë vendet në Evropë ku më së shumti bie borë


Krishtlindjet janë gjithmonë më festive me një spërkatje bore. Pra, nëse ju pëlqen të bëni njeriun prej dëbore ose dëshironi të uleni pranë një zjarri të ndezur dhe të shikoni fjollat e borës që bien jashtë, të qenit diku me borë në kohën e Krishtlindjes sigurisht që do të sjellë një buzëqeshje në fytyrën tuaj të ftohtë.

Holidu ka përmbledhur pesë vendet të Evropës që bie më së shumti borë bazuar në sasinë mesatare të ditëve të borës në muaj gjatë dimrit, në mënyrë që të shijoni ndjesinë festive, raporton Euronews, përcjell Telegrafi.

5. Helsinki, Finlandë – 16.5 ditë borë në muaj

Në vendin e pestë është kryeqyteti finlandez i Helsinkit me 16.5 ditë bore në muaj. Nëse dëshironi të shijoni ambientet jashtë, pajisuni me një ‘pulkka’, një lloj slitë që mund ta blini në të gjithë kryeqytetin. Parku Sinebrychoff është një destinacion popullor për të rrëshqitur në dëborë, me disa kodra të mëdha.

Kur të jeni freskuar siç duhet, atëherë ju mund t’ju drejtohuni saunave ku mund të ngroheni e të çlodheni.

Ka shumë sauna të cilat mund t’i zgjidhni, duke përfshirë të famshmen Löyly, e cila përmban tre sauna me ngrohje, një restorant dhe një pishinë të hapur nëse ndiheni veçanërisht të guximshëm.

4. Turku, Finlandë – 16.75 ditë borë në muaj

Gjithashtu në Finlandë, Turku është qyteti më i vjetër i vendit. E vendosur në bregun jugperëndimor, është e mbushur plot me kështjella mesjetare që datojnë në shekullin e 13-të.

Një nga mënyrat më të pazakonta për të eksploruar qytetin është me patinat që përdoren për pistat e akullit. Në dimër, lumi Aura, i cili kalon nëpër qytet, ngrin plotësisht, kështu që ju mund të bëni patinazh ose të shëtisni përgjatë tij për të vizituar pamje të ndryshme.

3. Erfurt, Gjermani – 17.25 ditë borë në muaj

Në vendin e tretë renditet qyteti i vogël Erfurt, kryeqyteti i shtetit gjerman të Turingisë. Nëse jeni duke kërkuar për një arratisje të qetë dimërore, me një popullsi prej vetëm 213,000 njerëz, ky mund të jetë vendi për ju. Me 17.25 ditë bore në muaj, qyteti është shtëpia e shumë arkitekturave unike mesjetare, raporton Euronews, përcjell Telegrafi.

2. Vilnius, Lituani – 18.5 ditë borë në muaj

Në vendin e dytë të kësaj liste është qyteti Vilnius në Lituani, me një mesatare prej 18.5 ditësh në muaj. Si kryeqyteti aktiv i vendit, Vilnius është i famshëm për arkitekturën baroke në qendrën e tij historike, e cila ka qenë një Zonë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s që nga viti 1994.

Nëse dëshironi të hyni në frymën e dimrit, vendpushimi i skijimit i Liepkalnis është vetëm 5 klimetra jashtë qytetit dhe ofron disa pamje mahnitëse mbi Vilnius.

1. Tallinn, Estoni – 20.5 ditë borë në muaj

Qyteti i Tallinn në Estoni po renditet i pari me 20.5 ditë borë në muaj. Kryeqyteti dhe pika kulturore e vendit është shumë romantike në dimër. Qyteti i tij i vjetër i Kesklinn është një Zonë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe një nga qytetet mesjetare më të ruajtura në Evropë – duket veçanërisht i bukur kur mbulohet me borë.

Nëse sportet dimërore janë aktivitetet e juaja të preferuara, “Tallinn Song Festival Grounds” bëhet një qendër aktivitetesh në dimër ku mund të rrëshqitni me ‘snow-board’, mund të bëni skijim dhe patinazh në akull. /Telegrafi/