Grubi: Aplikacioni digjital “Hana”, segment i rëndësishëm për shoqëri të barabartë

Pas promovimit të Audio Lexuesit në gjuhën maqedonase – Kiko, personat e verbër dhe personat me shikim të dëmtuar, gjuha amtare e të cilëve është shqipja, kanë në dispozicion versionin shqip – Hana. Ky aplikacion në gjuhën shqipe, i ngjajshëm me versionin e saj në gjuhën maqedonase, do të mundësojë që teksti i shkruar të dëgjohet dhe kuptohet në një version audio. Për herë të parë personat me shikim të dëmtuar që flasin shqip fituan një audiolexues në gjuhën e tyre amtare, “Hana” që do të jetë në dispozicion të rreth 5000 personave të verbër në rajon. “Hanën” do të mund të përdorin rreth 5000 persona të verbër nga rajoni që kanë gjuhën shqipe gjuhë amtare, por sigurisht që ky numër është më i madh nëse merret parasysh diaspora shqiptare nëpër botë.

Zëvendëskryeministri i parë i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, shprehu kënaqësinë e madhe që do të lehtësohet dukshëm jeta e përditshme e personave të verbër dhe atyre me shikim të dëmtuar.

“Angazhimi i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut është krijimi i një shoqërie për të gjithë, në të cilën të gjithë do të kenë qasje të barabartë në arsim, punësim, shëndetësi dhe mbrojtje të barabartë nga çdo diskriminim. Në strategjitë dhe politikat e saj Qeveria ka një angazhim të qartë për të përmirësuar cilësinë e jetës së personave me aftësi të kufizuara. Në përputhje me përcaktimet e Konventës së OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, nënshkrues i së cilës është vendi ynë, kemi synim strategjik për të përmirësuar kushtet për përfshirjen e plotë të personave me aftësi të kufizuara në të gjitha shoqëritë. Është miratuar konkluzion për nevojën e përfshirjes së detyruar të nxënësve me aftësi të kufizuara të lehta intelektuale në shkollat e rregullta. Gjithashtu është bërë vlerësimi i të gjithë fëmijëve nga klasa e parë deri në të pestën nga shkollat fillore speciale dhe paralelet speciale në shkollat e rregullta në Republikën e Maqedonisë së Veriut, për të përcaktuar funksionalitetin e tyre dhe nevojën për shërbime shtesë për përfshirje në shkollat e rregullta”, potencoi Grubi.