Shkup, 23 dhjetor – Edhe pse është tërhequr nga posti i kryeministrit dhe kryetarit të LSDM-së, duker shumë e qartë se Zoran Zaev edhe për një kohë të gjatë do të mbetet figurë e fuqishme në këtë parti. Njeriu i cili arriti ta rrëzojë Gruevskin, në kohën kur “regjimi” i tij dukej i paprekshëm, nuk do të harrohet lehtë as nga simpatizuesit e partisë, por as nga strukturat e saj. Fjala e tij do të ketë peshë edhe më tej, ani pse nuk do të mbajë asnjë post partiak e qeveritar.
Prezenca e Zaevit asfër partisë, për një kohë të gjatë, do të jetë e preferuar edhe nga kryetari i ri i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski. Si një teknokrat, e jo politikan, për Kovaçevskin nuk do të jetë pengesë, por diçka e mirëseardhur prezenca e Zaevit, për të cilin nuk mund të mohohet se sa ishte kryetar partie, ndërtoi një LSDM të re. Kjo e bën atë si person të ndikueshëm në LSDM edhe në perspektivë, sado që duken të pabesueshme informatat se një ditë sërish do të rikthehet si kryetar i LSDM-së. Veç tjerash, Zaev është arkitekti i raporteve të partisë së tij me partnerët e koalicionit, ia din përparësitë dhe dobësitë secilit prej tyre, kështu që deshi apo nuk deshi, edhe nga kryetari dhe kryesia e re partiake do të kërkohet ndihma e tij në koordinimin e komunikimit dhe bashkëpunimit brenda koalicionues.
Me këtë, Zaev në një farë ënyrë do të shndërrohet në figurë politike siç është tani e dy dekada kryetari I BDI-së, Ali Ahmeti në partinë e tij. Partia e Ahmetit gati 20 vite është në qeveri, kurse Ahmeti asnjëherë nuk ka mbajtur ndonjë post në pushtetin ekezekutiv. Mirëpo edhe nga jashtë qeverisë ai kontrollon me “telekomandë” kuadrot e BDI-së në ekzekutiv, e kjo vërehet më së miri në paraqitjet e tyre në opinion, ku thuajse në çdo paraqitje nuk harrojnë të përmendin “liderin” e partisë. Poashtu, para formimit të çdo qeverie të re, organet partiake ia delegojnë Ahmetit të drejtën për caktimin e përfaqësuesve të BDI-së në ekzekutive, gjë që flet edhe më tepër për autoritetin e tij mbi ek ministrat, zëvendës ministrat, drejtorët dhe gjithë përfaqësuesit e “integristëve” në poste të ndryshme.
Për strategji të njëjtë duket se është përcaktuar edhe kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, partnerit të ri në kampin e shumicës parlamentare. Partia e Gashit do të udhëheqë tri ministri në Qeverinë e re, mirëpo ai ka vendosur të vazhdojë edhe më tej si deputet në Kuvend, njëjtë si Ali Ahmeti.
Megjithatë, një dilemë që ekziston është nëse LSDM, si parti më e madhe dhe me shumë grupacione e fraksione, mund të dirigjohet prej anash. Në rastine Zaevit, një gjë e tillë duket e mundshme, sepse më tepër vjen si nevojë e vetë partisë për të, se sa si dëshirë e tij ndaj partisë. Kështu do të jetë së paku disa muaj, ndoshta edhe një vit, sepse me kalimin e kohës me siguri do të rriten apetitet e grupacioneve tjera dhe normal do të bie ndikimi i tashmë ish liderit dhe kryeministrit Zoran Zaev.
Sa është mirë për një shtet që qeveria të “dirigjohet” prej anash, respektivisht figurat kryesore politike të mos jenë të kyçura në pushtetin ekzekutiv? Teoria dhe përvoja politike nuk jep ndonjë përgjigje të saktë dhe unisone në këtë pyetje, sepse në vende të ndryshme ka përvoja të ndryshme, në periudha të ndryshme. Në disa vende është treguar si i suksesshëm modeli i parë,në disa vende tjera modeli i dytë. Mirëpo nëse mund të flitet për sinqeritet politik ndaj votuesve, tingëllon më sinqertë që ata të cilët udhëheqin partitë, të marin përgjegjësinë që u takon edhe në pushtetin ekzekutiv. Mirëpo mbi të gjitha, për qytetarët me rëndësi është që politikat e qeverisë të japin susksese, pa marë parasysh nëse ato politika formalisht zbatohen “me dirigjues”, ose “pa “dirgjues”. /// Zhurnal