Kovid-19 dhe gripi nuk janë e njëjta sëmundje!

Gripi dhe Kovid-19 janë dy sëmundje ngjitëse të rrugëve të frymëmarrjes, shkaktohen nga viruse të ndryshme, shkaktojnë komplikime të ndryshme, kanë nivele të ndryshme ashpërsie si dhe nivele të ndryshme vdekshmërie. Gripi ka karakter sezonal, fillon në vjeshtë dhe përfundon në pranverë me numrin më të madh të rasteve në muajt e dimrit. Koronavirusi deri më tani ka pasur disa kulminacione, të cilat nuk kanë të bëjnë aspak me motin. Një argument që është jashtë çdo logjike është se numri i të sëmurëve po rritet sepse është dimër dhe se kjo gjë vërteton se është grip. Po, është dimër si në vendin tonë ashtu edhe në të gjithë hemisferën veriore, por nuk është dimër në hemisferën jugore ku për çdo ditë regjistrohet një numër i madh i të sëmurëve me koronavirus, shkruan Vërtetëmatës.

Postim në rrjetin social Facebook manipulon publikun duke pretenduar në mënyrë të rreme se Kovid-19 dhe gripi janë e njëjta sëmundje. Kjo është dezinformatë. Koronavirusi dhe gripi janë sëmundje krejtësisht të ndryshme dhe nuk mund të pretendohet se janë e njëjta sëmundje.

Kur lexoj se sa shumë njerëz janë INFEKTUAR me Kovid, sikur me pasur leprozë

E që në fakt kanë grip

Epo, dimër është! Nuk do kenë helmim me akullore

Gripi dhe Kovid-19 janë dy sëmundje ngjitëse të rrugëve të frymëmarrjes, por që shkaktohen nga viruse të ndryshme, shkaktojnë komplikime të ndryshme, kanë nivele të ndryshme ashpërsie si dhe nivele të ndryshme vdekshmërie.

Kovid-19 shkaktohet nga një infeksion me koronavirus të quajtur SARS-CoV-2 i identifikuar për herë të parë në vitin 2019, ndërsa gripi shkaktohet nga infeksioni me viruset e influencës A dhe B.

Për shkak se disa nga simptomat e gripit, Kovid-19 dhe sëmundjeve të tjera të frymëmarrjes janë të ngjashme, dallimi midis tyre nuk mund të bëhet vetëm në bazë të simptomave. Për të treguar se për cilën sëmundje bëhet fjalë dhe për të konfirmuar diagnozën duhet të bëhen analiza laboratorike.

Si Kovid-19 ashtu edhe gripi përhapen midis njerëzve që janë në kontakt të ngushtë me njëri-tjetrin. Të dyja sëmundjet kryesisht përhapen nga grimcat e mëdha dhe të vogla që e përmbajnë virusin, të cilat shpërndahen kur njerëzit e sëmurë (me Kovid-19 ose grip) kolliten, teshtijnë ose flasin. Simptomat e Kovid-19 në përgjithësi shfaqen 2 deri në 14 ditë pas ekspozimit ndaj koronavirusit, ndërsa dhe simptomat e gripit shfaqen më shpejt, 1 deri në 4 ditë pas ekspozimit.

Sipas Qendrës Amerikane për parandalim dhe kontroll të sëmundjeve, Koronavirusi është shumë më ngjitës dhe përhapet më shpejt se viruset e gripit. Është vënë re edhe se koronavirusi, ndryshe nga gripi, mund të përhapet shpejt dhe lehtë te shumë njerëz dhe me kalimin e kohës të rezultojë në një përhapje të vazhdueshme midis njerëzve.

Edhe pse shumë nga simptomat e këtyre dy sëmundjeve ndonjëherë janë të njëjta, me Kovid-19 mund të përjetoni një humbje të ndjesisë për shije, aromë ose të dyja. Format e rënda, si dëmtimi i mushkërive, janë më të zakonshme për infeksionin me koronavirus sesa me grip.

Koronavirusi dhe gripi dallojnë edhe sipas vdekshmërisë që shkaktojnë. Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se nga efektet e gripit në mbarë botën çdo vit vdesin nga 290.000 -650.000 njerëz. Nga koronavirusi, i cili tashmë plot dy vjet ka mbërthyer botën, deri më tani kanë vdekur më shumë se 5,5 milionë njerëz. Mjekët dhe shkencëtarët vazhdojnë të punojnë për ta vlerësuar shkallën e vdekshmërisë nga Kovid-19. Për momentin, mendohet të jetë më e lartë (ndoshta 10 herë ose më shumë) se ajo nga numri më i madh i llojeve të gripit. Në SHBA, në vitin 2020 dhe vitin 2021 nga Kovid -19 jetën e humbën më shumë se 630.000 njerëz. Për krahasim, gjatë sezonit të gripit 2019-2020 në Shtetet e Bashkuara, numri i të vdekurve nga gripi ishte rreth 22.000 njerëz.

Për dallim nga gripi, koronavirusi mund të shkaktojë të ashtuquajturin „Kovid të gjatë“, simptomat e të cilit mund të zgjasin me javë ose muaj pas infektimit ose mund të shfaqen disa javë pas infektimit. Kovidi i zgjatur mund t’i ndodhë kujtdo që ka pasur Kovid-19, pa dallim nëse sëmundjen e kanë kaluar lehtë ose pa simptoma.

Është e rëndësishme të theksohet se gripi ka karakter sezonal, fillon në vjeshtë dhe përfundon në pranverë me numrin më të madh të rasteve në muajt e dimrit. Koronavirusi deri më tani ka pasur disa kulminacione, të cilat nuk kanë të bëjnë aspak me motin. Kulminacion kishte edhe në verë edhe kur moti ishte i ftohtë.

Një argument që absolutisht nuk mban ujë dhe është jashtë çdo logjike është se numri i të sëmurëve po rritet sepse është dimër dhe që kjo vërteton se është grip. Po, në vendin tonë është dimër si në të gjithë hemisferën veriore, por nuk është dimër në hemisferën jugore ku koronavirusi gjithashtu është i pranishëm dhe ku për çdo ditë regjistrohet një numër i madh i rasteve të reja. Për shembull, në Аrgjentinë, e cila ndodhet në hemisferën jugore, tani është verë, jo dimër, dhe atje numri i rasteve me koronavirus më 17 janar ishte 102.458 njerëz.

Që pretendimi se është dimër dhe për këtë shkak ka edhe pacientë nuk është i saktë mjafton të shihet numri i rasteve që janë regjistruar në verë. Më 25 gusht në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar 1.164 raste të reja. Një numër të ngjashëm të të infektuarve kemi pasur edhe më 7 јanar të këtij viti kur janë regjistruar 1.171 të infektuar të rinj.

Është e papërgjegjshme të pretendohet se Kovid-19 dhe gripi janë e njëjta sëmundje kur çdo ditë dëgjojmë për raste të reja vdekjes si pasojë e komplikimeve të shkaktuara nga koronavirusi. Krahas numrit të lartë të të infektuarve dhe të vdekurve, për ashpërsinë e këtij virusi flet shumë edhe numri i pacientëve të shtruar nëpër spitale. Për shkak të numrit të madh të pacientëve në vendin tonë u ngritën rreth 30 Kovid qendra me qëllim që të mundësohet kujdes për të gjithë ata që kishin nevojë për ndihmë mjekësore. Kjo gjë nuk ka ndodhur asnjëherë për shkak të gripit sezonal.

Prandaj është shumë e gabuar të barazohen këto dy sëmundje dhe akoma më e gabuar dhe e papërgjegjshme është të përhapësh të pavërteta që kanë për qëllim ta bindin publikun se Kovid-19 nuk është një sëmundje e rëndë, por se bëhet fjalë për grip.