Maqedonia bashkë me NATO-n

Maqedonia e Veriut mund të jetë e përmbajtur ose të kontribuojë nëse NATO vendos të ndërhyjë në situatën në Ukrainë, thonë njohësit e politikave ndërkombëtare. Sipas tyre Maqedonia e Veriut nuk ka rrezik të drejtpërdrejtë nga konflikti i mundshëm ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës. NATO-ja nuk ka kërkuar asgjë nga vendi deri më tani, ndërsa autoritetet vendore thanë se po ndjekin atë që po ndodh dhe se mbështesin sovranitetin e Ukrainës.

Shkup, 28 janar – Maqedonia e Veriut ka detyrime nga anëtarësimi në NATO, por ka edhe të drejtën sovrane të vendosë të qëndrojë larg një konflikti të mundshëm në Ukrainë. Politologu Deniz Memedi thotë se Maqedonia e Veriut si anëtare e NATO-s, nëse kjo e fundit e kërkon një gjë të tillë, atëherë mund të përfshihet në një konflikt të mundshëm, por megjithatë Memedi shprehet se Maqedonia e Veriut mund të vendosë në mënyrë të pavarur se si do të veprojë. “Në rast se NATO kërkon një gjë të tillë Maqedonisë së Veriut si anëtare e saj, atëherë armata e Maqedonisë mund të jetë pjesë e aleancës në konfliktin e mundshëm në mes Ukrainës dhe Rusisë. Mirëpo vendimi përfundimtar do të ndodhte vetëm atëherë kur do të kishte pajtueshmëri nga qeveria dhe presidenti i shtetit. Për momentin duke se po zhvillohen bisedime diplomatike për tejkalimin e krizës në mes palëve dhe se Maqedonia e Veriut parimisht duhet ta mbështes këtë qasje. Eskalimi i mundshëm i krizës mundë të shkaktojë konsekuenca të cilat mundë të kenë efekt negativ edhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor”, ka deklaruar për KOHA, Deniz Memedi, politolog.

Ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut, Sllavjanka Petrovska, ka thënë se vendi jonë mbështet plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës. Ajo ka thënë se Maqedonia e Veriut, si anëtare e NATO-s, do t’i ndjekë vendimet e aleancës, duke mos përjashtuar përfshirjen në konflikt. “Është e mundur që Ushtria e Maqedonisë së Veriut të përfshihet në një konflikt të mundshëm ushtarak ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, por vetëm nëse këtë e kërkon NATO-ja”, ka thënë Petrovska duke shtuar se se një veprim i tillë do të ishte i mundur vetëm me pëlqimin e komandantit suprem, përkatësisht presidentit të shtetit, Stevo Pendarovski.

Ambasada e Rusisë në Shkup ka reaguar ndaj deklaratës së ministres Petrovska, duke e cilësuar atë si “befasuese”. “Ne u kushtojmë vëmendje deklaratave absolutisht të qarta të udhëheqjes ruse. Rusia kurrë nuk e ka kërcënuar popullin ukrainas askund dhe nuk ka ndërmend të ndërmarrë ndonjë veprim agresiv. Me fjalë të tjera, ne nuk do të sulmojmë, pushtojmë apo godasim Ukrainën. Sa u përket trupave ruse, ato lëvizin nëpër territorin e tyre dhe kanë çdo të drejtë ta bëjnë këtë”, thuhet në reagim.

Nga disponimi i aktorëve shtetërorë vërehet se Maqedonia e Veriut e do të marrë pjesë në luftën e mundshme që mund të fillojë në mes Rusisë nga njëra anë dhe forcave ushtarake të Ukrainës dhe NATO-s me një pjesëmarrje dhe të trupave amerikane, thotë Selim Ibraimi, njohës i çështjeve ndërkombëtare. “Varet nga vendimi i presidentit, megjithatë si shumë vende Balltike dhe anëtare tjera të NATO-s që po dërgojnë trupa dhe armatim në Ukrainë, gjasat janë të mëdha që Maqedonia e Veriut të përfshihet në këtë konflikt por me pasoja në njerëz. Maqedonia e Veriut deri më tash është treguar besnike e SHBA-së dhe nuk besoj se do të refuzojë të dërgojë ushtarë në frontin e ri lindor kundër Rusisë. Disa anëtare të NATO-s si Kroacia kanë refuzuar dhe kjo është një vendim i tyre i pavarur. Mos të harrojmë se në rast të luftës ruso-perëndimore, viktimat do të jenë të mëdha duke marrë në konsideratë renditjen e forcave dhe numrin e madh të njësive të dislokuara në të dy anët. Strategjia e SHBA-së është që të dërgojë sa më shumë forca të vendeve të NATO-s dhe më pak ushtarë amerikanë. Pa luftë ose me, një Evropë dhe Ballkan i ri  po lind me rikonfigurime të reja”, ka deklaruar për KOHA, Selim Ibraimi, njohës i mirë i çështjeve ndërkombëtare.

Nga kabineti i presidentit Stevo Pendarovski në një kumtesë për media thonë se si pjesë e Aleancës edhe Maqedonia e Veriut merr pjesë në planet në atë se si NATO do t’i qaset tensioneve të cilat janë në rritje në atë rajon. Për Ukrainën në një bisedë telefonike kanë folur edhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani dhe këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Çolet, kumtoi Ministria e Punëve të Jashtme. Ata theksuan rëndësinë e një qasjeje të përbashkët ndaj sfidave aktuale të sigurisë dhe bënë thirrje për mos eskalimin e situatës në interes të sigurisë evropiane, thuhet në kumtesën e Ministrisë së Jashtme.