Edhe kur të përsëritet rigjykimi për t’i parë dëshmitë për pafajësinë e të dënuarve të rastit “Alfa”, Rexhail Qerimi nuk do ta shijojë, sepse zvarritja nëpër labirintet procedurave, tragjedinë e bën më të madhe… Edhe në rastin e Sopotit dhe të Ibrahim Sulejmanit, drejtësia vonoi dhe disa aktorëve nuk ua dha ta shijojnë kënaqësinë e pafajësisë
Nga Daut DAUTI
BETEJA E HUMBUR E REXHAIL QERIMIT PËR PAFAJËSI!
Mos hyfsh në labirintet e drejtësisë!
Gjithë publikun shqiptar e ka tronditur lajmi për vdekjen e Rexhail Qerimit, njërit nga të akuzuarit për vrasjen e policit shqiptar pranë Fakultetit Matematiko-Shkencor (rasti “Alfa”). Ka tronditur për humbjen e një njeriu në moshë të re dhe ka tronditur për shkak se qe sa kohë flitet për një rigjykim të këtij rasti ku do të nxirren fakte të reja, të cilat janë anashkaluar deri tash nga hetuesia dhe gjyqi. Një shans i mirë që e vërteta të dalë në shesh dhe të pafajshmit ta shohin lirinë. Për ironi të fatit, edhe Rexhail Qerimi, edhe Agim Islami, i dënuar me burg të përjetshëm, ka qe disa vjet që u është premtuar rigjykimi, por ai premtim është zvarritur, për të mos thënë është humbur, në labirintet e drejtësisë dhe në lojën ku çdo palë e involvuar hedh topin nga njëra instancë te tjetra… Nga gjithë ajo që kemi lexuar, është se ka një gatishmëri që t’i jepet këtij rasti edhe një mundësi për të rishikuar gjithë ajo çka ka ndodhur dhe kush janë aktorët e aktit makabër. Në këtë pritje, vdekja ishte më e shpejtë se drejtësia për Rexhail Qerimin, një keqardhje për të cilën vështirë të gjendet satisfaksion edhe nëse drejtësia nesër vjen dhe personaliteti i tij del i larë, kur ai vetë nuk do të mund ta shijojë. Se ky proces gjyqësor ka nevojë për rigjykim, flet gjithë “konstrukti” i tij, ku në fajësi për një vepër të kryer në një terr nate, ka vënë persona që kur s’janë njohur dhe s’kanë pasur as motiv e as mundësi për të kryer atë vepër…
Ky nuk është rasti i vetëm ku drejtësia humb rrugën. Siç e dimë, në rastin e Sopotit, vetë përfaqësues të organeve që e kishin krijuar rastin ashtu që të akuzohen banorë të pafajshëm, më vonë kishin hedhur dyshim, me çka Parlamenti solli vendim për rigjykim. Por, edhe pse të dënuarit u shpallën të pafajshëm, disa prej tyre ndërruan jetë pasi nuk arritën të shijojnë dëmshpërblimin material për vitet që i kishin kaluar në burg, përsëri duke u marrë me çështje procedurale se kush dhe si duhet t’i shpaguajë ata.
Një nga rastet më të rënda, ngjashëm si ky i Rexhail Qerimit nga Opaja, është vdekja vetëm pak ditë para se të lirohej nga burgu i Ibrahim Sulejmanit. Ky është personi për të cilin Komiteti i Helsinkit i Maqedonisë sa e sa herë e kishte ngritur zërin se është i dënuar pa faj, pasi për vepra lidhur me aktivitete të luftën e vitit 2001, ai nuk mund të dënohej pasi ishte i amnistuar. Të gjorin, policia e kidnapojnë në Spitalin Shtetëror, dhe e dënojnë me burg. Komiteti i Helsinkit kishte intervenuar te Ministria e Drejtësisë dhe te Presidenti që ta falin Ibrahim Sulejmanin, por ata topin ia hidhnin njëri-tjetrit! Kështu, qenë afruar ditët që të dalë nga burgu, por vdekja në rrethana të dyshimta, nuk e la të dalë në lirinë që ia kishin marrë pa të drejtë.
SHQIPTARËT ME TË DREJTË TË MËSOJNË SHQIPEN NË TURQI…
Para pak ditësh në një televizion shqiptar përcolla një debat lidhur me një marrëveshje shqiptare-turke “të diskutueshme”. Të diskutueshme, ngase pjesëmarrësit e debatit ishin ndarë në ata që e kontestonin, dhe të tillë që e përkrahnin pa rezervë. Njëri prej tyre, ishte tepër entuziast dhe e paraqiste atë më shumë seç është e rëndësishme realisht. Meqë s’e kisha kapur debatin prej fillimit, m’u desh të verifikoja nëse bënin fjalë për njërën nga shtatë marrëveshjet që i nënshkruan kryeministri shqiptar, Edi Rama dhe presidenti turk Erdogan në Tiranë më 17 mars. Ashtu dhe siç pritja, doli se ajo marrëveshje nuk ishte në “listën” e fundit, por, ishte e pothuajse një viti më parë dhe është një nga më të rëndësishmet në aspektin kulturologjik: mësimi si lëndë zgjedhore e turqishtes në shkollat e Shqipërisë dhe e gjuhës shqipe për shqiptarët e Turqisë, poashtu si lëndë zgjedhore.
Nuk dua të ndalem fort në “papërshtatshmërinë” që gjuha turke të jetë në shkolla si njëra nga gjuhët e huaja, siç e përmendte ndonjëri nga debutuesit, e as që ajo të jetë gjuhë që do të studiohet në arsimin e lartë(siç bëhet për shumë gjuhë të tjera). Sepse mendoj se njohja e gjuhëve të huaja është përparësi, ndaj dhe njohja e gjuhës turke, për shkak të relacioneve ekonomike e politike, është një përparësi që s’duhet diskutuar. Kurse dilema se nga ana teknike, a mundet që në një shtet të futen aq gjuhë sa mund të nënshkruhen marrëveshje bilaterale me ndonjë shtet, ia lë “kapaciteteve” të shqiptarëve…
Por, në këtë kontekst, nuk bën aspak ta anashkalojmë çështjen e mësimit të shqipes në Turqi, si një përfitim i kohës më të re, e cila me gjasë ka nisur shumë më herët se në bazë të marrëveshjes së marsit vitit të kaluar për bashkëpunim në fushën e arsimit (ku përfshihet edhe çështja delikate e shkrimit të historisë, por pa e pasur të qartë nëse vlen për të dy vendet!).
Për këtë gjë, fliste në atë debat një turkoman shqiptar antishqiptar(i cili mendon se shqiptarët i ka krijuar Austria!), paraqitja e të cilit në ekran më përzihen zorrët nga krupa, por trimin vraje e hakun mos ia ha, ndaj dhe ai tha një të vërtetë se kjo drejtë ka filluar të zbatohet që nga viti 2007. Nuk e kam fort të verifikuar, por këto njohuri befasuese tashmë i kisha dhe atë nga rrethi familjar, rrugës zyrtare, sepse vëllai im, Azami, i cili para disa vitesh ishte kryetar i këshillit të komunës së Çairit (2009-2013), kishte qenë në disa vizita zyrtare në qytetin e Bursës ku ndër udhëheqësit komunalë kishte pasur shumë shqiptarë të cilët e kishin informuar se shqiptarët kanë të drejtë të mësojnë shqipen në shkolla në mënyrë fakultative nëse shprehin dëshirë…
Me thënë të drejtën, kjo informatë e para disa vitesh, ka qenë një befasi e këndshme, duke ditur politikën zyrtare të shtetit të Turqisë, i cili që prej themelimit të saj, kishte imponuar politikën se “të gjithë jemi turq dhe të gjithë flasim një gjuhë”. Edhe shpërnguljet masovike të shqiptarëve që janë bërë para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, sidomos ato në bazë të asaj marrëveshjes xhentëlmene Tito-Qupërli, parashihte“shpërnguljen e turqve”, ndaj dhe nën shtypjen e aparatit shtetëror, shqiptarët detyroheshin që të shpërngulen në bazë të asaj marrëveshjeje, po duke u deklaruar paraprakisht si turq, për ta përmbushur formalitetin. Me këtë, Turqia dhe nuk ka pasur ndonjë obligim në bazë të kartave ndërkombëtare të sigurojë për muhaxhirët shqiptarë të drejta shkollimi përderisa ata kishin shkuar si turq! Ndaj dhe mundësia e ofruar tash për të mësuar shqipen shqiptarët, boshnjakët dhe pakica të tjera, qoftë dhe në mënyrë fakultative, është një ogur i bardhë, kurse zyrtarizimi me marrëveshje midis Shqipërisë dhe Turqisë, është një motiv shtesë…Mirëpo, atë që dua të them dhe e thashë që në titull të këtij shkrimi, është e vërteta e hidhur që poashtu vëllai e ka mësuar nga nikoqirët e tij në Bursë, se për këtë mundësi, shqiptarët, ndoshta ndryshe nga boshnjakët, fare pak janë të interesuar ta shfrytëzojnë! Asimilimi e ka bërë të veten dhe gjeneratat e reja pothuajse se nuk kanë as lidhje gjuhësore, e lëre më vetëdijësore, me origjinën dhe nuk kanë ndonjë motiv pse t’i ngarkojnë fëmijët e tyre me mësimin e gjuhës shqipe. …Ndoshta këtu mund të luajnë ndonjë rol Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, me ndonjë fushatë ndërgjegjësimi për bashkëkombësit e tyre rrugëve të ndryshme.
Ky bashkëpunim midis dy vendeve, patjetër duhet përshëndetur, por nuk duhet glorifikuar efekti, siç bëri ky turkomani i Tiranës, i cili në mënyrë ekzaltuse dhe glorifikuesetha një rrenë, hiq më pak, se gjuha shqipe tash qenka njëra nga gjuhët zyrtare! Shqipja është larg që të jetë gjuhë e tillë duke u mësuar vetëm në mënyrë fakultative, përderisa nuk do t’u garantohej të mësonin në gjuhën amtare gjithë një cikël shkollor, siç turqve me përqindje të shpërfillshme në popullsinë e Maqedoni, u garantohet. Si duket, edhe pse rreh gjoks me do diploma ndërkombëtare, nuk e ka të qartë çka do të thotë që një gjuhë ta ketë statusin e një gjuhe zyrtare. Askush nuk kërkon që shqipja të jetë në përdorim zyrtar në administratë, mjafton që ajo të masivizohet si gjuhë e zgjedhur për gjeneratat e reja të shqiptarëve në Turqi, për një lloj vetëdijesimi për origjinën e tyre dhe të ruajnë sa më gjatë elementin kryesor kombëtar, gjuhën. Të paktën, për një komunikim më të mirë për ne që kemi farefiset tanë të derdhur nëpër Stamboll, Izmir, Bursë e madje Anadoll…, ku kanë shkuar jo prej qejfi, por nga proceset e shumta shpopullizuese në disa valë shpërnguljes me dhunë. Që kur t’u shkojmë për vizitë, ose të vijnë ata në vendin e gjyshërve, të mos flasin me duar e me isharete për t’u kuptuar!