Intervistë ekskluzive/Kreshnik Bekteshi: Maqedonia nuk do të mbetet pa energji!

“Maqedonia e Veriut ka kapacitete dhe rezerva për t’u përballur me krizën energjetike”, ka deklaruar midis tjerash Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, në një intervistë ekskluzive për indeks.mk. Me këtë rast, ai  ka thënë se qytetarët e RMV-së nuk duhet të shqetësohen, sepse Ministria e Ekonomisë, konkretisht Qeveria, i ka marrë të gjitha masat për të siguruar sasi të mjaftueshme të energjisë.

Ai siguroi qytetarët se nuk do të mbeten pa energji.

“E kam thënë edhe disa herë që Maqedonia e Veriut nuk rrezikohet aspak që të ngelë pa energji elektrike, duke marrë parasysh që i kemi marrë të gjitha masat me të vetmin qëllim që të sigurojmë energji elektrike, por njëkohësisht të mos ketë edhe rritje drastike të çmimit të energjisë elektrike në veçanti për amvisëritë dhe konsumatorët e vegjël.”, ka nënvizuar ministri., duke sqaruar se në këtë moment është  miratuar marrëveshja e fundit me kompaninë private Te-To, ku për fat të mirë të Qeverisë, por njëkohësisht edhe për sektorin energjetik, është siguruar një çmim i cili është 50 euro nën çmimin e berzës evropiane, çmime të cilat janë të detyruara t’i paguajnë Serbia, Kosova dhe vendet e tjera të rajonit. Nuk kemi implikime të mëdha financiare nëse bëjmë krahasime me vendet e rajonit por kemi  rritje të çmimit të energjisë elektrike për gjashtë mujorin e këtij viti ndër 10%, i cili ka qenë një nga premtimet e Bashkimit Demokratik për Integrim por njëkohësisht edhe i Qeverisë, me të vetmin qëllim që të mbrohet edhe aspekti social në Maqedoninë e Veriut dhe këto çmimet të mos ndikojnë në standardin jetësor të qytetarëve tanë”, deklaroi Bekteshi, në intervistën e portalit indeks.mk.

Ai në intervistë u prononcua edhe për rritjen e çmimit të energjisë dhe ankesat e qytetarëve, duke thënë se në gjashtë mujorin e parë të këtij viti rritja për amvisëritë dhe konsumatorët e vegjël do të jetë vetëm 9.48%.

Ministri Bekteshi i ka njoftuar qytetarët  se ku mund të ankohen nëse janë të pakënaqur me llogaritë për energjinë elektrike.

“Ne e kemi thënë publikisht që çmimi i energjisë elektrike për amvisëri dhe konsumatorët e vegjël për gjashtë mujorin e parë të vitit 2022, ka shënuar rritje prej 9.48% dhe të gjithë ata qytetarë të cilët mendojnë se faturat e tyre janë më të mëdha se përqindja e cila është më vendim i Komisionit Rregullator, të paraqiten në institucionet përkatëse dhe me siguri që do të bëhen kontrollet e duhura”, vuri në dukje Bekteshi.

A foli edhe për vendimin për ngrirjen e çmimeve bazë duke thënë se ai është marrë vetëm për të mbrojtur dhe ruajtur interesin e qytetarëve. Bekteshi tha se vendimi për ngrirje të çmimeve është propozim i dikasterit të Ekonomisë dhe do të zgjasë deri në fund të muajit shkurt.

“Sa i përket propozimit të Ministrisë së Ekonomisë, Qeveria tashmë e ka sjellë vendim. Ai ka të bëjë me ngrirjen e çmimeve po të të njëjtave produkte të cilat edhe paraprakisht u caktuan gjatë muajit dhjetor, të cilat, duke u bazuar në të dhënat e Entit Statistikor, kanë pasur rritje në krahasim me muajin nëntor por njëkohësisht edhe me muajin tetor të vitit paraprak. Pra, kemi bërë ngrirjen e çmimeve të   produkteve bazë dhe tashmë vetëm se e kemi vazhduar të njëjtën masë, e cila do të zgjasë deri në fund të muajit shkurt”, thotë Kreshnik Bekteshi.  Ndërkaq, se kur do të publikohen të dhënat e radhës nga Enti Statistikor në bazë të atyre të dhënave, analizave dhe krahasimeve të cilat do të bëhen për produktet e caktuara, Bekteshi thotë se do të vendoset se a do të vazhdojë edhe në të ardhmen apo aty do të ndërpritet kjo masë e cila deri tash është marrë katër herë./indeks.mk/