RMV, filloi gjysmë-vjetori i dytë, nxënësit iu kthyen shkollave

Sot ka filluar gjysmë-vjetori i dytë i vitit shkollor 2021/2022. Pas pushimi njëmujor dimëror të zgjatur, rreth 255 mijë nxënës po kthehen sot në shkollë. Në vend të datës 20 janar, mësimi fillon sot. Për shkak të përkeqësimit të situatës epidemiologjike dhe vlerësimit se vendi është në kulmin e infektimit me kovid-19, Qeveria vendosi të zgjasë pushimin dimëror për dhjetë ditë, transmeton Portalb.mk.

Edhe përkundër fillimit të prolonguar, viti shkollor 2021/2022 do të përfundojë në afatin e rregullt – 10 qershor 2022. Në të gjitha shkollat ​​(fillore dhe të mesme) janë përcaktuar 172 ditë mësimore, përveç nxënësve të shkollave të mesme të vitit të fundit për të cilët 158 janë përcaktuar për shkak të detyrimeve të tyre për maturën shtetërore dhe dhënien e dy provimeve eksterne të planifikuara për datat 4 dhe 13 qershor.

Qëndrimi i autoriteteve në shëndetësi dhe arsim është që viti shkollor, si dhe në gjysmëvjetorin e parë, të vazhdojë me prezencë fizike, duke zbatuar protokollet anti-kovid, në mënyrë që edhe më tej, dy skenarët e tjerë që u përgatitën në verë të vazhdojnë të mbeten rezervë – mësim në distancë dhe mësim i kombinuar me rotacione të nxënësve në të njëjtën klasë.

Sindikata për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SAShK) dhe opozita VMRO-DPMNE këto ditë kërkuan që Qeveria të rishqyrtojë vendimin dhe të vazhdojë mësimin online, pasi numri i të infektuarve me KOVID-19 është i lartë, riinfektimet janë të shpeshta për shkak të përhapjes së shpejtë të variantit omicron.

Nga ana tjetër, Lidhja e nxënësve të shkollave të mesme përshëndeti vendimin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për fillimin e mësimit me prezencë fizike, duke kujtuar se këtë qëndrim e ndajnë edhe me Komisionin për Sëmundjet Infektive dhe me Përfaqësinë e UNICEF-it në vend.

“Kuvendi i përgjithshëm i Lidhjes së nxënësve të shkollave të mesme vendosi njëzëri të rikonfirmojë qëndrimin që mësimi të zhvillohet në shkollë. Lidhja beson se në situatën më të keqe mësimi duhet të bëhet i kombinuar, ndërsa në rastin më të mirë mund të jetë tërësisht fizik”, thonë nga Lidhja e nxënësve të shkollave të mesme.