Turqi – 24.5 miliardë dollarë të ardhura nga turizmi në vitin 2021

Pavarësisht një viti të zymtë për shkak të kufizimeve të lidhura me koronavirusin në të gjithë botën, Turqia gjeneroi 24.5 miliardë dollarë të ardhura nga turizmi vitin e kaluar.

Të dhënat e Institutit Turk të Statistikave (TurkStat) treguan se shifra u dyfishua në krahasim me vitin 2020, bën të ditur “Anadolu Agency”. Megjithatë, shifra e të ardhurave e vitit të kaluar nuk ishte më e larta e të gjitha kohërave, e cila u regjistrua në vitin 2019 me 34.5 miliardë dollarë.

Turqia mirëpriti 29.4 milionë vizitorë vitin e kaluar, një rritje prej 85.5 për qind krahasuar me vitin 2020, por regjistroi rënie në krahasim me vitin 2019, kur kishte 51.9 milionë turistë.

81.5 për qind e vizitorëve ishin shtetas të huaj ose afro 24 milionë persona, ndërsa 18.5 për qind ishin shtetas turq që jetonin jashtë vendit ose rreth 5.4 milionë.