VMRO-DPMNE dhe ASH kërkojnë që ndryshimet në Kodin Zgjedhor të hyjnë në procedurë kuvendore

Grupi i deputetëve të VMRO-DPMNE-së sot pati takim me deputetët e Aleancës për Shqiptarët në të cilin është biseduar për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Në takim, siç thonë nga VMRO-DPMNE, Aleanca për Shqiptarët doli me qëndrim se ndryshimet duhet të hyjnë në procedurë kuvendore.

“Sot e përfundojmë serinë e takimeve me grupet më të vogla të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe para pak kohe sapo përfundoi takimi me koordinatorët e grupit të të deputetëve të Aleancës për Shqiptarët me të cilët gjithsesi biseduam për Kodin Zgjedhor. Nga ky takim mund t’ju njoftoj se, siç ishte përmbajtja e përbashkët i të gjitha takimeve të kaluara këtë javë edhe Aleanca për Shqiptarët pajtohet se Kodi Zgjedhor duhet përfundimisht të hyjë në procedurë”, deklaroi deputetja Dafina Stojanovska e VMRO-DPMNE-së.

Të gjithë, thotë ajo, jemi për debat publik në Kuvend lidhur me këtë çështje në të cilën do t’i shqyrtojmë të gjitha qëndrimet dhe kërkesat individuale lidhur me atë nëse listat duhet të jenë të hapura, në lidhje me pragun etj.

“Mbetet konkluzioni nga të gjitha takimet e kaluara, mendoj se i fundit është mbajtur sot dhe kërkojmë që ky propozim ligj përfundimisht të hyjë në procedurë dhe për këtë i bëjmë thirrje kryetarit Talat Xhaferit”, tha Stojanovska.