Konsensusi “nacional” maqedonas

Ana ironike e “dëshirës së flaktë” të Stoilkoviqit për t’i bërë bashkë partitë maqedonase të BDI-së dhe të izolimit të faktorit shqiptar, është se ai nuk e kupton se kushtetuta dhe parimi i vendosjes me shumicë të Badenterit, e bën imperativin e çdo pushteti që ta ketë faktorin më relevant shqiptar, ai që siguron shumicën e dy të tretave dhe shumicën relevante brenda kampusit etnik. E atë, zakonisht e zgjedhin votuesit…

Nga Daut DAUTI

1. VMRO E LSDM-JA TË BËHEN BASHKË KUNDËR BDI-SË…!

Një paraqitje interesante ka pasur Ivan Stoilkoviq, kryetar i Partisë Demokratike të Serbëve. Interesante, sepse i thërret dy partitë maqedonase më të mëdha për konsensus. Ide e mirë, apo jo? A nuk është interes i lartë shtetëror që për çështje madhore, si BE-ja, NATO, sundimi i të drejtës, gjyqësia e pavarur, liria e shtypit e shumë çështje të tjera, të mos ketë ndërkëmbëza, por pëlqim të subjekteve politike relevante? Patjetër… Po, ama lideri i partisë e cila përfaqëson një përqindje të vogël qytetarësh, e ka gjetur të udhës që apelin për konsensus t’ua drejtojë dy partive më të mëdha maqedonase që të bëhen bashkë, jo për çështjet e përmendura, por kundër BDI-së! Shumë interesante. Kundër BDI-së?! Thënë ndryshe, ai i këshillon ato të presin atë degë ku rrinë me BDI-në dhe LSDM e VMRO të ulen në një degë tjetër!

Ai rezonon shumë “pragmatikçe”, ka një qëllim utilitar, të padiskutueshëm: “Mungesa e një konsensusi elementar kombëtar ndërmjet dy partive më të mëdha të Maqedonisë është vetëm një nga arsyet pse lideri i BDI-së, Ali Ahmeti po sulmon LSDM-në dhe VMRO-DPMNE-në”. Duket si një lloj avokatie për dy partitë e mëdha, apo një këshillëdhënie dashamirëse pa pare, sikur ato nuk dinë “të lexojnë”… Pra, cila na qenka arsyeja pse dy parti maqedonase me numër të madh, të bëhen bashkë kundër një partie shqiptare, numerikisht shumë më të vogël se ato? Sepse, BDI-ja po i kritikuaka, apo më saktë, i sulmuaka, duke e ditur se varen prej saj. Ka dy çështje, midis rreshtash në këtë porosi, njëra ka të bëjë me BDI-në, e tjetra me shqiptarët.

Në rastin e parë, pas prononcimeve të Ali Ahmetit dhe të një komunikate të BDI-së, ku sulmet e VMRO-së ndaj BDI-së ishin krahasuar me ato të LSDM-së(me një shuplakë, dy miza!), duhet kuptuar BDI-ja, e cila duhet të jetë lodhur më që të trajtohet fajtore kujdestare për dështimet apo bëmat e mëdha të dy partive maqedonase! Si argumenti më i mirë për këtë është shkrimi i një kolumnisti të njohur maqedonas, i cili vërtetoi një tezë të kahershme timen se në krahasim me bëmat e dy partive maqedonase, BDI-ja është lule! Pse? Sepse, ndër krejt elaborimin e këtij kolumnisti, një gjë duhet të merret si relevante është si vijon: ai thotë se nga burime të PSP-së ka mësuar se nuk ka pasur gjurmë të involvimit të funksionarëve të BDI-së në afera të mëdha korruptive. Pra, veprat janë për t’u peshuar, ose më saktë, për t’u krahasuar.

Logjika thotë se dikush që është zhytur gjer në fyt në këto mahinacione (i kemi dëgjuar ato përgjime dhe e dimë kush ndante përqindje e kush çka bënte), gjithsesi duhet të pastrojë oborrin e vet të mëkateve para se ta drejtojë gishtin nga BDI-ja. Nga ana tjetër, sa i përket sedrës së lënduar(ashtu e kuptoj këtë reagim të I. Stolikoviqit: më katolik s papa, kur e merr mbi vete sedrën e dy partive që mund vetë të flasin), duhet të kujtojmë se kanë qenë pikërisht partitë maqedonase ato të cilat kanë organizuar shpesh fushata jo korrekte ndaj BDI-së, madje si në shembullin e LSDM-së, duke qenë edhe partnerë të koalicionit, bile edhe në kohë kur atyre si bombë në dorë u plasën skandalet e mëdha të funksionarëve të tyre.

Nëse ju kujtohen ato përgjimet e famshme me përmbajtje private, doemos burimin do ta kenë pasur ose nga PSP-ja, ose nga LSDM-ja, ose krejt një, i njëjti burim. Pra, këto diversione në stilin gjuaj gurin e fshih dorën, ndodhën në kohën kur ishte BDI-ja në koalicion me LSDM-në…E po, i bie BDI-së ndonjëherë edhe ta mbrojë veten, duke kujtuar ato sulme të pashembullta, që u desh t’i durojë me urtësi.

E dyta gjë, që thashë ka të bëjë me shqiptarët, është se nuk është me rëndësi a është BDI-ja në pushtet ose ndonjë tjetër përfaqësues i shqiptarëve, konsensusi “nacional” i dy partive maqedonase, mëton të anashkalojë shqiptarët si faktor i rëndësishëm. Por kjo është vetëm ana ironike e kësaj “dëshire të flaktë” të Stoilkoviqit për t’i bërë bashkë partitë maqedonase, sepse edhe në rastin më të keq të izolimit të faktorit shqiptar, është kushtetuta dhe parimi i vendosjes me shumicë të Badenterit, që nuk mund të anashkalohet. Dhe në atë rast, patjetër çdo pushteti i duhet faktori më relevant shqiptar, ai që siguron shumicën e dy të tretave dhe shumicën relevante brenda kampusit etnik. E atë, zakonisht e zgjedhin votuesit. Që të jemi korrektë me të vërtetën, ka pasur çështje për të cilat edhe partitë shqiptare kanë arritur konsenzus mes vete kohë pas kohe(Platforma e Tiranës, ligji për gjuhën…), por kjo ka ndodhur për çështje programatike, me qëllim të realizimit të kërkesave të tyre politike, e jo për bashkim forcash kundër një subjekti maqedonas. Edhe pse kjo është keqkuptuar prej tyre dhe disa mediave.

2. KUR PUSHTETI TË MERR NË SY TË KEQ…!

A ju kujtohet TV A1-shi dhe pronari i saj Velija Ramkovski? Patjetër, kush nuk do ta kujtonte televizionin e parë të pavarur në Maqedoni, dhe më të shikuarin sipas të gjitha anketave, deri në mbylljen e tij. Ai ishte televizioni i cili me politikën e vet redaktuese, të shpeshtën ishte kritik ndaj pushtetit, pavarësisht se kush ishte… Historia e këtij televizioni m’u kujtua me ngjarjet më të fundit në Federatën e Futbollit Shqiptar, ku është hapur një front midis kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliajt dhe Armand Dukës, kryetarit të FFSH-së. Ku është ngjashmëria?

Ngjashmëria konsiston në metodat e ngjashme që duket se po përdoren Edhe pse ErionVeliaj, thirret në shkelje të gjërave statutare të funksionimit të federatës së futbollit, mbeten dyshimet se është fjala pikërisht për ndërhyrje të politikës gjithandej ku mendon. Ajo që situatën e bën tepër të ngjashme me ndërhyrjen e qeverisë së NikollaGruevskit në TV A1, është nxjerrja e çështjes në terren të evazionit fiskal. Edhe pse një kohë i pari i Drejtorisë së të Hyrave Publike, kur i çoi inspektorët në firmat e VelijaRamkovskit thoshte se hetohen keqpërdorimet dhe nuk është cak televizioni, shumë shpejt doli në shesh e vërteta se qëllimi kishte qenë pikërisht mbyllja e TV-së së Velisë dhe vetë Velija. Për të njëjtat gjëra pushteti kishte mundur në çdo kohë t’i dërgojë inspektorët financiarë në firmat e Velisë, por ai e gjeti momentin kur mendoi se TVA1-shi nuk ishte më televizioni që i kishte ndihmuar VMRO-në dhe Gruevskin të vinte në pushtet, dhe meqë vetë ishte pushtet, ky televizion ishte bërë pengesë me kriticizmin që s’mund t’i falej më. Por, ta mbyllje në televizion për kriticizmin e tij, do të ishte shkelje e lirisë së shprehjes, ndaj mënyra më e përshtatshme ishte nxjerrja në terren të evazionit fiskal.

Edhe në “betejën për FFSH-në”, edhe pse qëllimi është heqja e Armando Dukës, i cili pretendon një mandat të gjashtë, por mënyra për diskreditimin e tij nuk mjafton përmes “shkeljeve statutare” dhe gjëja më bindëse është që t dyshohet për manipulime financiare. Si në shemën e Gruevskit, Erion Veliaj i dërgon inspektorë firmave të vëllezërve Duka, sikur ato të ishin prej dje. Edhe laiku më i vogël do të shtronte pyetjen fare të logjikshme: PËRSE TASH Erion Veliaj i ka shpallë luftë Armando Dukës, e jo MË HERËT?(Në këtë analogji, nuk dua aspak të mbroj kryetarin e FFSH-së dhe mahinacionet që mund të ketë bërë, por vetëm me faktin se si pushteti, gjithkund, kur dëshiron të arrijë ndonjë qëllim, gjërat i hedh në nivel të shkeljes së ligjshmërive, edhe pse ndaj tyre i ka mbyllur sytë deri tash, ndërkaq fsheh qëllimin e vërtetë për të kontrolluar gjithçka).

Siç mund të pritej, Shqipëria nuk është ishull i vetmuar në oqean që të mos kuptohet se çka ndodhë, dhe normalisht se këto përplasje politikë-futboll do të alarmonin instanca të tjera. Kështu nuk mund të rrinte duarkryq as UEFA, ndaj dhe kryetari i saj, Alexander Ceferin, zbarkoi në Tiranë enjten për t’u informuar nga të gjitha palët, por me gjasë, pasi të kthehet, do t’i jetë bërë koka daulle nga gjithë argumentet dhe kundër-argumentet që do t’i ketë dëgjuar për punën e Dukës dhe presionet e Veliajt. “…Fola me Presidentin e FSHF-së dhe me Kryeministrin, me të cilin ramë dakord se nuk do të ketë ndërhyrje politike në zgjedhje, që futbolli do të vendosë për futbollin dhe kjo është ajo që duam. Nëse UEFA nuk ndërhyn, askush tjetër nuk duhet të ndërhyjë në këtë proces”, e ka shprehur mendimin Ceferini pas takimeve në Tiranë. Kryeministri Rama, i cili e ka pritur, mund t’i ketë thënë Ceferinit se ai këtu është për ta mbrojtur ligjshmërinë dhe se shumë veprime të Dukës kanë qenë në kundërshtim me ligjin, por ngutësia e Erion Veliajt për t’i hapur front Dukës, ka bërë që të alarmohet UEFA dhe me këtë, të bien në ujë edhe ato argumente që ndoshta qëndrojnë sa i përket kontrollit absolutist të futbollit nga ana e Dukës që 20 vjet! / https://www.koha.mk/konsensusi-nacional-maqedonas/

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)