RMV, prej sot kovid-vendimet për izolim mund të merren në mënyrë elektronike

Prej sot do të futet në funksion platforma në të cilën secili qytetar i cili ka nevojë të marrë vendimin e vet për izolim, do të ketë qasje online në vendimin e tyre, pa pasur qasje në të dhënat e qytetarëve të tjerë të cilëve u është lëshuar vendimi për izolim.

Qasja është e mundur përmes banerit në ueb-faqen e Inspektoratit Shtetëror, Shëndetësor dhe Sanitar në këtë link, cili ju çon në portalin Vakcinacija.mk ose drejtpërdrejtë në https://vakcinacija.mk/mk/landing.

Procedura është e thjeshtë. Qytetarët që nuk kanë krijuar ende profil, do të duhet të regjistrohen në Portalin me krijimin e një profili që mundëson marrjen e vendimit për izolim, i cili nënshkruhet në mënyrë digjitale nga Inspektorati Shtetëror, Shëndetësor dhe Sanitar.

Të gjithë personat që deri më tani kanë profil në vakcinacija.mk, do të mund ta marrin vendimin në mënyrë të njëjtë si certifikatat për vaksinimin për KOVID-19 ose për shërim nga KOVID-19.

Kujtojmë se çdo person që testohet për KOVID-19 duhet të jetë në izolim menjëherë pas testimit, derisa të marrë një rezultat nga i njëjti. Nëse rezultati është pozitiv, qëndron në izolim edhe për shtatë, gjegjësisht të paktën dhjetë ditë, varësisht nëse ka shfaqur simptoma të sëmundjes, informuan nga pres shërbimi qeveritar.