RMV, rritja e pagës minimale në rend dite para deputetëve

Ndryshimet në Ligjin për pagën minimale sot janë në seancë plenare të Kuvendit. Me ligjin në fjalë, paga minimale, nga 15.200 rritet në 18.000 denarë, transmeton Portalb.mk.

Pasi pardje, ndryshimet kaluan në seancë qeveritare, dje i mori kryeparlamentari Talat Xhaferi, i cili plotësoi rendin e ditës për seancën e sotme.

Nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) porositën se presin që deputetët njëzëri të mbështesin rrogën minimale prej 18.000 denarë.

“Duke pasur parasysh se të gjitha partitë politike dhe deputetët tashmë kanë deklaruar se do ta votojnë ligjin, pritshmëritë tona janë që deputetët ta miratojnë njëzëri ligjin që do të rrisë pagën minimale, gjë që do të ndikojë në rritjen e pagave të tjera në vend. LSM-ja i ka kërkuar nga kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi, që në përputhje me kompetencat e tij, përfaqësuesve të LSM-së (anëtarëve të Këshillit ekonomiko-social) të kenë mundësi të marrin pjesë në seancën në Kuvend”, thanë sot nga LSM.

Marrëveshja për rritjen e pagës minimale u arrit të hënën mbrëma, pas bisedimeve disaditore mes LSM-së, Qeverisë dhe organizatës së punëdhënësve. Sipas marrëveshjes, punëdhënësit do të rrisin pagën minimale, ndërsa shteti do të ndihmojë në mbulimin e shpenzimeve për kontributet për punëtorët. Paga e re minimale do të fillojë të paguhet me pagën e marsit.

“Me marrëveshjen, punëdhënësit do të mbulojnë të gjithë rritjen neto të pagës për punonjësit e tyre që janë me pagë minimale. Shteti, nga ana tjetër, do të mbulojë të gjithë diferencën në pjesën e kontributeve nga paga minimale aktuale prej 15.200 denarë deri në atë që do të paguhet në mars prej 18.000 denarë. Bëhet fjalë për pjesë nga ana e shtetit prej rreth 16 milionë euro deri në fund të vitit. Kemi premtuar dhe zbatuar masa që ndihmojnë drejtpërdrejt standardin e jetesës. Në një vit të krizave evropiane dhe botërore, ne mbetemi të fokusuar në mbështetjen financiare të qytetarëve”, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski mbrëmjen që u arrit marrëveshja.

Një pjesë e marrëveshjes është edhe metodologjia e re për llogaritjen e pagës minimale, në të cilën si kriter përfshin që ajo të mos jetë më e ulët se 57 për qind e pagës mesatare në vend.

“Kemi arritur një marrëveshje tjetër të rëndësishme: Të ndryshojmë kriteret e metodologjisë për rregullimin vjetor të pagës minimale me 50 për qind të rritjes vjetore të pagës mesatare dhe 50 për qind të rritjes së kostos së jetesës. Kriteri i tretë është risi: shuma e pagës minimale nuk mund të jetë më e ulët se 57 për qind e pagës mesatare të publikuar sipas Entit Shtetëror të Statistikave”, shpjegoi Kovaçevski më 7 shkurt.

Metodologjia e re, siç u theksua më pas nga përfaqësuesit qeveritar, do të mundësojë ngritjen e minimumit në të ardhmen. Sipas deklaratës së zëvendëskryeministrit për Çështje Ekonomike Fatmir Bytyqi për “Utrinski brifing”, vlerësimet janë se me harmonizimet deri në vitin 2026 do të arrijë në 22.000 denarë.

Sindikata e Punëtorëve të administratës, organeve gjyqësore dhe shoqatave të qytetarëve (PAOGJSHQ) dje reagoi se me rritjen e pagës minimale dhe mos dëgjimin e Qeverisë për rritjen graduale të pagave të tjera, do të realizohet ajo që parashikonin – shembja e sistemit të pagave në administratë dhe në gjyqësor. Nëse nuk do të ketë rritje graduale të pagave, ata njoftuan se do të detyrohen të aktivizojnë vendimin e marrë në muajin nëntor dhe pakënaqësinë e punonjësve ta shprehin me protesta apo forma të tjera presioni.