Zv.ministri grek i punëve të jashtme për vizitë dy ditore në Shkup

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Greqisë i obliguar për diplomaci ekonomike, Kostas Frankojanis sot do të udhëtojë për në Shkup për vizitë dyditore dhe do të realizojë një varg takimesh me ministra nga sektori ekonomik, me zëvendësministren e Punëve të Jashtme, me zëvendësministrat për Çështje Ekonomike dhe Evropiane, si dhe me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, njofton korrespondentja e MIA-s nga Athina.

“Në agjendën e bisedimeve të zëvendës-ministrit me përfaqësues të Qeverisë së sapozgjedhur të Maqedonisë së Veriut do të gjenden marrëdhëniet ekonomike bilaterale të të dyja vendeve dhe mundësive për zgjerimin dhe përforcimin e tyre”, njoftuan nga MPJ greke në vigjilje të vizitës.

Sipas programit zyrtar, zëvendësministri i diplomacisë greke pasdite do të takohet me ministrin e Financave të Maqedonisë së Veriut dhe do të vizitojë Stopanska Bankan, ku do të ketë takime me menaxhmentin, ndërsa në mbrëmje do të marrë pjesë në një darkë për nder të tij të organizuar nga zëvendëskryeministrat përgjegjës për Çështjet Ekonomike dhe Evropiane Fatmir Bytyqi dhe Bojan Mariçiq.

Frankojanis nesër do të takohet me zëvendësministren e Punëve të Jashtme, Fatmire Isaki, me zëvendëskryeministrin për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, ministrin e Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi dhe zëvendëskryeministrin për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, të cilët do të priten nga kryeministri Dimitar Kovaçevski.

Vizita e zëvendësministrit të Punëve të Jashtme të Greqisë përgjegjës për diplomaci ekonomike Kostas Frankojanis është e para e një përfaqësuesi grek pas zgjedhjes së Qeverisë së Re.