Për një vit Maqedonia e Veriut regjistroi deficit tregtar afër 3 miliardë euro

Në Maqedoninë e Veriut gjatë vitit 2021 është regjistruar rritje e eksportit dhe importit të mallrave në krahasim me vitin e kaluar, por përsëri është regjistruar deficit tregtar prej 2.7 miliardë euro.

“Vlera e përgjithshme e mallrave të eksportuar nga Republika e Maqedonisë së Veriut, në periudhën janar-dhjetor të vitit 2021, është 6 922 573 000 euro dhe krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, shënon rritje prej 19.8 %. Vlera e mallit të importuar, në periudhën e njëjtë, është 9 638 290 mijë euro, që është për 26.9 % më shumë , krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak”, raportojnë nga Enti Shtetëror i Statistikave.

Mbulimi i importit me eksport, në janar-dhjetor të vitit 2021, është 71.8 përqind, ndërsa deficiti tregtar për vitin 2021 është 2 715 716 000 euro.

“Maqedonia e Veriut ka tregtuar më shumë me Gjermaninë, Britaninë e Madhe, Greqinë, Serbinë dhe Kinën”, japin detaje nga Enti. Në Kosovë janë eksportuar mallra në vlerë prej 302 775 000 euro, ndërsa janë importuar mallra me vlerë 78 928 000 euro.