Në Shkup sanksionohen 238 shoferë, 62 për tejkalim të shpejtësisë së lejuar

Në territorin e qytetit të Shkupit dje janë shqiptuar gjithsej 238 sanksione, prej të cilave 62 sanksione për tejkalim të shpejtësisë së lejuar, 43 sanksione për drejtimin e automjetit nën ndikimin e alkoolit, 24 kundërvajtje për këmbësorët, kumtoi Ministria e Punëve të Brendshme.

Në kryeqytet policia dje ka shqiptuar edhe 26 gjoba për drejtimin e automjetit pa patentë shofer, 10 sanksione për mospërdorimin e rripit të sigurisë, shtatë sanksione për mosdhënie të përparësisë së kalimit këmbësorëve, katër sanksione për kalim në semafor të mbyllur (ngjyrë e kuqe) dhe tri kundërvajtje për motoçiklistët.

Nga MOB-ja paralajmërojnë se kontrollimet e përforcuara në trafik do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. Apelojmë deri te qytetarët t’u përmbahen rregullave dhe rregulloreve të trafikut me qëllim të rritjes së sigurisë në rrugë.