Telekom i Maqedonisë e lansoi rrjetin e parë komercial 5G në vend

Telekom i Maqedonisë sot e lansoi rrjetin e parë komercial 5G në vend dhe mundësoi përdorimin e shërbimeve 5G paralelisht dhe në kombinim me 4G, me teknologji të avancuar për përdorim dinamik të radio frekuencave ekzistuese.

Sinjali 5 G mbulon 15 qytete dhe rrethinat e tyre: Shtip, Veles, Kavadar, Negotinë, Sveti Nikollë, Manastir, Prilep, Krushevë, Ohër, Strugë, Resnjë, Strumicë, Radovish, Gjevgjeli dhe Dojran.

Nikola Lushev, drejtor ekzekutiv i Telekomit në konferencë për shytp informoi se implementimi i 5G në Shkup dhe rrethinë ka filluar këtë muaj dhe deri në maj, të gjithë klientët në kryeqytet dhe në rajonin e Shkupit më gjerë do të kenë qasje në këto shërbime. Deri në fund të tetorit 2022, me pajisjet e gjeneratës së fundit, paralajmëron do të mbulohen 26 qytete në vend.

“Tre vite më parë filluam përgatitjet e para për teknologjinë e gjeneratës së pestë dhe sot kemi rrjetin e parë komercial 5G. Me kalimin e viteve kemi përgatitur, investuar, testuar, ndërtuar dhe folur për të ardhmen, tani mund të themi se 5G është këtu. Ne kemi përmbushur një nga parakushtet më të rëndësishme për revolucionin e katërt industrial dhe me marrjen e radiofrekuencave të reja 5G, kjo teknologji do të arrijë potencialin e saj të vërtetë dhe klientët tanë do të marrin shpejtësitë që synojmë”, tha Lushev.

Nga Telekomi thonë se janë të gatshëm të ofrojnë internet super të shpejtë gigabit mobil, menjëherë pas përfundimit të procesit për ndarjen e radio frekuencave për brezat e radios 700MHz dhe 3.6GHz nga Agjencia për Komunikime Elektronike.

Për momentin, 5G do të jetë në dispozicion për përdoruesit e vendosur në qytetet e mbuluara nga 5G, sipas tarifave që përdorin, dhe që kanë një nga pajisjet e mëposhtme të certifikuara 5G: Samsung S21, Xiaomi 11 Lite NE dhe Motorola Edge 20 Lite. Procesi i certifikimit 5G me Apple pritet të përfundojë gjatë tremujorit të dytë të vitit.

Mundësitë e teknologjisë 5G do të jenë të disponueshme në tarifat: Ultra – të përfshira në abonim, pa pasur nevojë për aktivizim, Magenta 1 Unlimited dhe Mobile Unlimited pa kompensim shtesë, me aktivizim të shërbimit përmes aplikacionit TelekomMK. Në periudhën promocionale, 5G mund të aktivizohet pa kompensim shtesë për përdoruesit e Magenta 1 M dhe Mobile M përmes aplikacionit TelekomMK. Qasja në rrjetin 5G do të ofrohet pa kompensim shtesë edhe për përdoruesit e biznesit, në tarifat Magenta1 Business L / Business L dhe Business XL / XXL me aktivizim automatik, ndërsa për përdoruesit e Magenta1 Business M dhe Business M me aktivizim përmes aplikacioni TelekomMK.