Murati: Përfshirja e personave me aftësi të kufizuara në tregun e punës, çelësi për përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre

Drejtori i Agjencisë së Punësimit, Bekim Murati, sot ka marrë pjesë në tryezën e rrumbullakët me temë “Kapërcimi i hendekut: Punësimi i Personave me Aftësi të Kufizuara” organizuar në kuadër të Projektit për mbështetjen e modernizimit dhe deinstitucionalizimit të shërbimeve sociale, i mbështetur nga Bashkimi Evropian.

Murati në fjalën e tij theksoi punën e përkushtuar të Agjencisë së Punësimit me qëllim të përmirësimit të pozitës në tregun e punës të kategorive të cënueshme të personave të papunë, përfshirë edhe personat me aftësi të kufizuara.

“Përveç programeve dhe masave të punësimit të përcaktuara në Planet Operative vjetore, ekzistojnë mundësi të tjera për përfshirjen e personave me aftësi të kufizuar në tregun e punës, të cilat janë të përcaktuara në Ligjin për Punësimin e personave me aftësi të kufizuara dhe aktet nënligjore përkatëse. “Këto dispozita stimulojnë punëdhënësit nga sektori privat për punësimin e personave me aftësi të kufizuara, por edhe për blerjen e pajisjeve të nevojshme për kryerjen e veprimtarisë, si dhe për përshtatjen me vendin e punës ku punojnë këta persona.”- tha Murati.

Për lehtësimin e punësimit të personave me aftësi të kufizuara, në buxhetin e Agjencisë së Punësimit është krijuar një Fond i Posaçëm, i cili financohet me 10% të kontributit mujor të punësimit.

“Në periudhën 2015-2021, përmes Fondit të Posaçëm janë ndarë përafërsisht 1,1 miliardë denarë, nga të cilat shumica janë për punësimin e 1262 personave me aftësi të kufizuara. Për vitin 2022, përmes Fondit të Posaçëm janë siguruar 305 milionë denarë si mbështetje financiare që do të ndihmojë dukshëm në integrimin e personave me aftësi të kufizuara në tregun e punës”, theksoi Bekim Murati.

Së shpejti do të nisë zbatimi i Planit Operativ për vitin 2022, ku të gjithë personat e papunë me aftësi të kufizuar mund të marrin pjesë dhe të përfshihen në programe, masa dhe shërbime aktive, sipas interesave, motivimit dhe mundësive të tyre.