Hulumtim: Cila do të jetë barra mbi fondin pensional për rritjen e paralajmëruar të pensioneve?

Për fillimin e muajit mars është dakorduar takim i ri i përfaqësuesve qeveritarë dhe shoqatave të pensionistëve për ndryshimin e metodologjisë për harmonizimin dhe rritjen e pensioneve me qëllim që të arrihet një model që do të mundësojë zgjidhje të qëndrueshme në periudhë afatgjate. Në takimin e parë në muajin shkurt u dakordua se nevojitet ndryshim me qëllim që pensionet të rriten, por nuk u saktësua se sa do të ishte rritja dhe si do të arrihej deri te ajo. Prandaj, tani nuk është e mundur të vlerësohet barra që rritja e pensioneve do ta bënte mbi fondin pensional. Autoritetet janë të bindura se ai është i qëndrueshëm dhe nuk do të zgjedhin model që për një ose dy vite do ta mbingarkonte, por ekspertët bëjnë thirrje për kujdes, në mënyrë që likuiditeti financiar i tij të mos përkeqësohet pas stabilizimit pas reformave të fundit.

Nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale për MIA-n shprehen se pas takimit të parë të mbajtur me Lidhjen e pensionistëve dhe Partinë e pensionistëve, janë dhënë disa propozime për ndryshime në metodologjinë për harmonizimin e pensioneve dhe se analiza është në rrjedhë.

“Analiza e propozimeve të dhëna që bëhet nga resorët ekonomikë të Qeverisë është në rrjedhë dhe presim që së shpejti të mbahet takim i sërishëm, në të cilën do të prezantohen projeksionet e propozimeve nga të dyja palët. Qëllimi i të gjitha palëve të interesuara në dialogun është që të arrihet zgjidhja më e qëndrueshme që do të sjellë rritje të pensioneve në periudhë afatgjate”, theksojnë nga MPPS.

Për momentin, sipas të dhënave të fundit të Fondit për sigurim pensional dhe invalidor të Republikës së Maqedonisë së Veriut nga janari i vitit 2022, në vend janë gjithsej 326.841 shfrytëzues të pensionit. Prej tyre pension pleqërie marrin 220831 përfitues, pension familjar 75.249 përfitues, pension invalidor 29.736 shfrytëzues, pension ushtarak 952 dhe pension bujqësor 37 persona.

Sipas të dhënave të Fondit, pensioni më i lartë për momentin arrin 59.674 denarë, ndërsa pensioni më i ulët është 10.791 denarë. Numri më i madh 20.809 shfrytëzues të pensionit marrin nga 20.000 deri në 22.000 denarë.

Në raport me lëvizjen e deficitit të mjeteve në Fondin për SPIM për pagesën e pensioneve, respektivisht sa është përqindja dhe vlera e mjeteve që i merr nga buxheti i shtetit në periudhën 2017-2022, nga të dhënat e Fondit mund të shihet se në vitin 2017 transferi nga buxheti qendror ishte 28.461.150.000 denarë ose 43,67 për qind, në vitin 2018 29.399.000.000 denarë ose 42.83 për qind, në vitin 2019 ishte 28.103.110.000 denarë ose 38,30 për qind.

Në vitin 2020, nga ana tjetër, transferi nga buxheti qendror në fondin pensional ishte 30.911.000.000 denarë, respektivisht 39,72 për qind, ndërsa në vitin 2021 30.626.000.000 denarë, respektivisht 37,97 për qind. Në vitin 2022 është projektuar respektivisht planifikuar transfer prej 29.658.000.000 denarë ose 35,66 për qind.

“Në këtë transfer të mjeteve që Fondi i SPIM i merr nga Buxheti qendror bëjnë pjesë edhe shpenzimet e tranzicionit që Fondi i transferon në fondet private pensionale.

Në fondet private janë anëtarë më shumë se 550 mijë të siguruar, ndërsa Fondi i SPIM-it atyre u transferon 6 nga 18.8 për qind të kontributeve pensionale. Këto janë shpenzimet e projektuara që shteti është zotuar t’i mbulojë kur e ka dizajnuar sistemin e pensioneve me tre shtylla në vitin 2003. Përveç kësaj, Fondi paguan edhe sigurimin shëndetësor të pensionistëve, që është 10% e shpenzimeve të përgjithshme të SPIMV-së. Përmes këtij transferi, me mbështetjen e buxhetit qendror, paguhen edhe pensionet më të favorshme dhe pensioni i garantuar minimal prej 10.791 denarë, sqarojnë nga Fondi për MIA-n.

Nga Instituti për hulumtime dhe politika ekonomike “Finance think” shprehen se duhet kujdes i veçantë gjatë dakordimit të metodologjisë së rritjes së pensioneve, meqë, sipas tyre, pas rritjes dramatike të deficitit pensional në periudhën 2010-2018 për shkak të, siç theksojnë, masave populiste për rritjen e pensioneve, sistemi është stabilizuar me reformën e vitit 2019 dhe këtë e ilustrojnë me grafikon me të dhëna të cilat i kanë në dispozicion.

Sipas analizave të tyre, në vitin 2010 fondi pensional ka pasur deficit prej 35% të mjeteve të nevojshme për të paguar pensionet që i mbulon shteti nga Buxheti qendror. Përqindja është rritur në 43 për qind në vitin 2014, dhe në maksimum 44 për qind në vitin 2017. Më pas rënia e defiçitit dhe zvogëlimi i vrimës në fondin pensional në mënyrë që në vitin 2021 të arrijë 39%, mjete që duhet të ndahen nga Buxheti i shtetit për pagesat me kohë të pensioneve. Nëse reforma nuk do të bëhej në vitin 2019, tani deficiti buxhetor do të arrinte rreth 42 për qind të Buxhetit.

Me ndryshimet ligjore për sigurimin pensional dhe invalidor që filluan të zbatohen në vitin 2019 ishte përcaktuar se harmonizimi i pensioneve do të bëhet dy herë në vit nga 1 janari dhe 1 korriku i çdo viti sipas përqindjes së rritjes së indeksit të shpenzimeve të jetesës në gjysmëvjetorin paraprak në raport me gjysmëvjetorin që i paraprinë, të publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikave. Në rast se rritja e shpenzimeve për jetë është me parashenjë negative, nuk bëhet harmonizimi i pensionit të pleqërisë. Gjithashtu, u propozua harmonizim plotësues nëse prodhimi i brendshëm bruto në vitin paraprak ka rritje reale prej më shumë se 4 për qind. Lartësia e tanishme e pensioneve nuk siguron ditë të denja pensioni, konsiderojnë pensionistët dhe prandaj kërkojnë ndryshim në modelin e harmonizimit.

Pushteti në fillim të bisedimeve me pensionistët bëri të ditur se qëllimi është të krijohet një sistem sipas të cilit ata do të kenë siguri dhe rritja e pensioneve të tyre nuk do të varet nga vullneti politik i askujt apo nga ajo nëse do të ketë zgjedhje. Modeli i propozuar nga shoqatat e pensioneve është që ai bazohet në ndryshimin e standardit jetësor dhe ndryshimin e pagave mesatare. Takimi i radhës është caktuar për në fillim të muajit mars, ndërsa deri atëhere Qeveria duhet të bëjë simulimet e nevojshme për propozimet e pensionistëve.

Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike Fatmir Bytyqi pas takimit të parë theksoi se pret që të arrihet një zgjidhje maksimum deri më 10 mars, meqë, siç theksoi ai, ka pëlqimin se metodologjia e përputhjes duhet të ndryshohet.

“Mendoj se në takimin e radhës do të kemi përkufizuar modelin dhe do të kemi qëndrim të përbashkët. Gëzohem që edhe Lidhja e shoqatave të pensionistëve dhe Partia e Pensionistëve u solidarësuan me kategoritë e ndryshme të pensionistëve

dhe marrin lartësi të ndryshme të pensioneve. Folëm për modele të ndryshme që do të nënkuptonin një mënyrë më solidare të mbështetjes. Ajo që na mbeti si Qeveri është në periudhën e radhës për të bërë simulime dhe për të parë se çfarë implikimesh do të ketë kjo në fondin pensional”, tha Bytyqi.

Ai theksoi se fondi pensional është i qëndrueshëm dhe se ka të ardhura të rritura vitin e kaluar, ndërsa tendenca, siç tha ai, është që ky trend të vazhdojë.

“Kjo siguron se ne mund t’i përgjigjemi pozitivisht rritjes së pensioneve. Vetëm në janar, kemi harmonizim të pensioneve prej tre për qind. Në pension mesatar, kjo është rreth 478 denarë në vlerë absolute. Nëse qëndrojmë në të njëjtin model, pensionistët do të marrin së paku 500 denarë më shumë në korrik, por ne flasim për model të ri të harmonizimit që do të ofrojë më shumë se kaq”, deklaroi Bytyqi, duke porositur se nuk do të bëjnë model që për dy vjet do të thotë paqëndrueshmëri të fondit pensional.

Përfitim nga rritja e pensioneve duhet të kenë 328 mijë pensionistë.

Pensionistët ishin të kënaqur me epilogun e takimit të parë dhe shpresojnë për një zgjidhje që do të jetë e pranueshme për të gjitha palët.