Kazani ukrainas

Ukraina paguan çmimin e vonesave të Perëndimit, në proceset euroatlantike, duke i lënë shtetet me vite në pritje të zgjidhjes së statusit të tyre. Çmimin e kësaj vonese e paguajti Gjeorgjia, po e paguajnë edhe shtete si Maqedonia, Kosova, Bosnja…, duke i lënë ato në përpëlitjet ndër vite me lloj-lloj pretekstesh…Në Ukrainë ka edhe një komunitet të vogël shqiptarësh, që Shqipëria dhe Kosova duhet t’u ofrojnë strehim nëse rrezikohen nga veprimet luftarake…

Nga Daut DAUTI

  1. Sa u zgjova në mëngjes të enjten, më tronditi sulmi masiv mbi Ukrainën. Gjithë çka ishte paralajmëruar rreth planeve të luftës, ra në ujë. Ranë në ujë edhe fjalët që ishin thënë gjithë kohës nga goja e Putinit dhe Lavrovit, të cilët thirreshin në të drejtën që Rusia mund të bëjë çka të dojë brenda territorit të vet. Pastaj kur më 21 shkurt u urdhërua ndërhyrja “paqesore” në dy republikat separatiste, ishte dhe një iluzion tjetër që u shpërbë vetëm tri ditë më vonë: se Rusia nuk e ka ndërmend të ndalet vetëm për t’i “mbrojtur” rusët nga “gjenocidi” në republikat e Luganskit dhe Donjeckit, duke nisur nga tri anë ndërhyrjen ushtarake për “denacifikim dhe demilitarizim” të Ukrainës, që presidenti rus, me diagnozën se bëhet fjalë për një krijesë artificiale e Bashkimit Sovjetik (sajesë e Leninit, Stalinit dhe Hrushçovit), me çka duhet zhbërë për shkak se ekzistimi i tij është “kanosje e përhershme për Rusinë”, haptas deklaroi qëllimin që e ka pasur që nga fillimi: pushtimin e një shteti sovran për ta zhbërë…

I përcjell median kryesore dhe më nxjerr nga lëkura formulimi “pushtimi i Ukrainës”. Sapo ka filluar invazioni dhe përdoret “pushtimi”, praktikisht si akt i kryer, ndërkohë që lajmërohet se forcat ukrainase bëjnë rezistencë gjithandej…Por, realiteti terminologjik dhe ai faktik, gjithsesi, janë përjashtues me dëshirat, sepse gjersa sheh helikopterët rusë që kanë mbërritur gjer në kryeqytet, “pushtimi” nuk duket larg së vërtetës…

E para gjë që më shkoi ndërmend, ishin disa miq të atjeshëm, shqiptarë të Ukrainës, dhe u përpoqa të komunikoj me ta. Gjithë ditën, deri diku në orët e pasdites, nuk mund të dërgoje as mesazh përmes mesenxherit. Ndërkohë, në rrjetin e facebookut, kishte disa postime të një mikeshe, e cila kishte gjithnjë aktive dhe gjithnjë e hareshme tek komunikonte me botën shqiptare. Ajo, NelliSupur, një koreografe me profesion, që kishte qëndruar edhe në Shqipëri edhe në Londër disa vite për të specializuar profesionin e koreografes, kishte bërë disa postime, ku ajo shprehte shqetësimin njerëzor të mbijetesës karshi kërcënimit që sapo ishte bërë real. Ai shend karakteristik që e karakterizonte, përherë e buzëqeshur që vazhdimisht e shikonim në rrjetet sociale, përnjëherë ishte zhdukur dhe dukej e frikësuar dhe disi më e plakur. Përshkruante një lloj kaosi që sapo kishte nisur, me rrëmujë para dyqaneve për ushqim, me rrëmujë në bankomate e banka për të nxjerrë para, për lëvizje popullate, çfarë i shihnim edhe në media, për përpjekje për t’u strehuar diku (ajo thoshte se nuk mund t’u tregojë miqve se ku gjendet dhe se do të jetë kohë pas kohe e pranishme në rrjet sociale aq sa do të mundet)…E gjora Nelli, një nga zgjidhjet e mundshme, ishte shpresa e ndonjë korridori për t’u mundësuar edhe shqiptarëve të Ukrainës, që ajo thoshte se janë gjithandej, ndoshta në drejtim të Shqipërisë… Një gjë të tillë, të paktën si gatishmëri, ndoshta Shqipëria dhe Kosova duhet t’ua ofrojnë nëse ndër refugjatët ukrainas që do të dalin jashtë Ukrainës, do të ketë edhe shqiptarë të atjeshëm.

Më vonë, megjithatë, vërejta se ka mundësi komunikimi, dhe u dërgova mesazhe disa miqve. Në një fshat ku jetojnë shqiptarë, një mik më tha se tash për tash  nuk ka ndonjë gjë të madhe, porse një mësuese e cila para tri vitesh i shoqëroi nxënësit e vet në një ekskursion nëpër botë shqiptare, pra, edhe në Shkup, ma ktheu se nuk e kanë gjendjen mirë, përderisa “po afrohet lufta”. Një psikozë lufte dhe mbijetese.

Vetëm pak kohë më parë habitesha me entuziazmin e disave prej tyre, të cilët sikur nuk e shikonin çfarë furtune po vjen dhe gjithë kohën ushqenin vetëm me disa ëndrralla jete joreale. Kështu, ndonëse publikisht e kisha përkrahur një iniciativë të tyre për të krijuar një shoqatë që quhej “Oborri shqiptar” që do të merrej me kultivimin e vlerave të trashëgimisë kulturore e identitare, dhe për këtë kërkonin mbështetje nga shqiptarët tjerë, thellë brenda e kisha atë frikën se kjo është një gjë utopike në prag të furtunës… Zhvillimet e ditës së parë të invazionit, nuk dukeshin aq premtuese, për më tepër, dukej se “pushtimi” që mediat botërore e shpallën para se ai të ndodhte përnjëmend si akt i kryer, nuk lenin shumë për optimizëm. Aq më tepër, se, Ukraina ishte vënë në një mbrojtje me forcat e veta, me përkrahje deklarative të botës perëndimore, me sanksione të cilat s’di kur mund të kenë efekt…

Arusha po luan sot në fqinjësinë e Perëndimit…

 

  1. Një aktor turk i Maqedonisë kishte postuar të mërkurën një postim të çuditshëm në facebook,një fjali që s’linte shumë për interpretim, edhe pse ishte pyetje: A thua pse Amerika po interesohet aq shumë për Ukrainën. Një pyetje që shumë prej nesh nuk do ta kishim bërë kur gjërat janë aq të qarta. Por, e keni parasysh, në analizë hyn konteksti, e konteksti ndonjëherë është shumë i ndërlikuar. Në të përzihen si emocionet, si faktet, si interesat dhe shumëçka tjetër. Disi “përzishëm” mund të kuptohej qoftë drejtpërdrejtë, qoftë tërthorazi, qëndrimi i këtij aktori, i cili dikur ishte mjaft i popullarizuar në skenat teatrore dhe kinematografinë e Maqedonisë.

Gjëja e parë që “lexohet” është qëndrimi negativ ndaj Amerikës. Dakord, nuk mund ta duan të gjithë Amerikën. Edhe pse një turk si ai, do të duhej të dinte se Turqia e ka Amerikën aleate strategjike, përkundër të gjitha interesave të tjera. Në shumë “aksione” politike apo ushtarake, Turqia ishte përkrah Amerikës, siç ishte intervenimi në Kosovë në vitin 1999, në luftë kundër ISIS-it edhe pse atje Turqia zhvilloi një “luftë separate” edhe kundër kurdëve irakianë. Gjithsesi e kuptojmë se prapa kësaj ka “diçka” që ka mbetur e pasqaruar, një episod i kohës më të re, ai i puçit ushtarak ndaj Erdoganit, e Erdogani për këtë e dyshon ish-partnerin e koalicionit, Fetullah Gylenin, ndërkaq këtë e mbron, ose më saktë, nuk e ekstradon Amerika.

Nga ana tjetër, të flasësh për Ukrainën dhe invazionin rus, duhet poashtu ta kuptosh edhe të drejtën ndërkombëtare, të drejtën njerëzore dhe shkak-pasojat e luftës. Të rezimojmë në këtë pikë, çdo e drejtë është në anën e Ukrainës, vetëm forca është në anën e Rusisë. Një intelektual turk, mbase duhet të mbajë anën e së drejtës, ndaj dhe nëse nuk i pëlqen që Amerika dyshuese dhe shpesh aktore e krizave të ngjashme është në anën e një shteti më të dobët kundrejt një agresioni kaq të madh, të pa provokuar prej saj, atëherë dihet se cilën palë duhet përkrahur.

 

  1. Ndoshta aktori i përmendur si shembull, ka edhe ndonjë sentiment tjetër “anti”, atë të motivuar fetarisht, ku kanë rënë grackë edhe disa shqiptarë që urrejnë SHBA-të dhe me simpati kanë parë një farë përafrie të Turqise me Rusinë viteve të kaluara. Paçka se kjo gjë për një shqiptar është tejet diskutabile të jesh kundër SHBA-ve e pro Rusisë. Jo pse shqiptarët kanë ndonjë urrejtje ndaj Rusisë, po pse Rusia historikisht ka përkrahur Serbinë për t’i gllabëruar territoret shqiptare, me çka nuk ka lënë shumë vend për ta dashur, përveçse në kohën e dashurisë së verbër të Enverit për Stalinin. Por, ku është aspekti fetar këtu, kur dihet se Rusia, gjegjësisht Bashkimi Sovjetik, e pat pushtuar një vend mysliman, Afganistanin, shumë kohë para Amerikës, ndërsa Rusia ka shkelur edhe një marrëveshje paqesore, atë qe kishte arritur dikur mediatori i Jelcinit, Aleksandar Lebed, me çeçenet që parashihte deklarimin e tyre se a duan apo nuk duan të mbete në Rusi! Të mos harrojmë edhe angazhimin rus në Siri, kur gjithë myslimanët ishin me Amerikën për ta rrëzuar Asadin, ndërkaq ajo ndihma ruse e ruajti këtë regjim të mbetet. Turqia ishte në anën të kundërt të Rusisë, me Amerikën…

 

  1. Nga ana tjetër, nuk bën pa përmendur pikërisht një gabim të perëndimit, i cili disa vendeve që kanë zgjedhur perëndimin, nuk u qe ofruar streha me kohë, që vazhdon edhe me Maqedoninë, Shqipërinë, Kosovën me lloj-lloj arsyetimesh, për ta vazhduar agoninë e tyre… Bie fjala, nëse në mënyrë të përshpejtuar do të ishin pranuar në gjirin e NATO-s, sot nuk do të kishim ndoshta këtë provokim të rëndë nga Rusia, e as atë i ndodhi Gjeorgjisë. Edhe Ukraina edhe Gjeorgjia, paguajnë çmimin e vonesave strategjike të Perëndimit për shkak të procedurave e kritereve të pakuptimta që ua vështirësonin vendeve rrugën drejt tij. Edhe “revolucioni i portokalltë” në Ukrainë, kur u bë për shkak të një qeverisje pro-ruse dhe lëvizjeje opozitare pro-perëndimore, ngapak e nxitur edhe nga Perëndimi, mund të jetë një përshpejtim përtej rrethanave objektive. Sepse, siç shihet tash, ky nxitim, pa mbështetjen faktike të Perëndimit, e bën sot Ukrainën të thyeshme përballë një furtune së cilës vështirë se mund t’i bëjë ballë vetë. Ndaj ajo duket e zhgënjyer vetëm me përkrahjen deklarative, saqë zgjidhja më pak e keqe për Ukrainën tash duket të kapitullojë sa më shpejtë dhe të kursehet nga gjakderdhja, sepse mund të shkojnë mijëra njerëz gjersa sanksionet bankare të Perëndimit të japin ndonjë rezultat, siç nuk kanë dhënë ato pas aneksimit të Krimesë! Me një pushtim të shpejtë, ashtu siç po ecin gjërat, me një qeveri provizore, mund të fitohet kohe për një periudhë më të favorshme për zgjidhje politike.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)