Kush janë putinistët në Maqedoninë e Veriut?

Fryma pro ruse në Republikën e Maqedonisë së Veriut tentohet të kamoflohet shkaku i aspiratave të vendit por, prapë se prapë ajo del në pah. Bajraktarët e kësaj mendësie të mbrapsht nuk janë edhe pak. Pse mëtojmë Perëndimin kur mendësia orientale është thellë e ngulitur te shumica prej nesh? Te kjo pyetje, përgjigje më të mirë kemi gjetur te qëndrimi i fundit ish profesorit universitar dhe njohësit të marrëdhënieve ndërkombëtare, Denko Maleski.

Duke komentuar zhvillimet e fundit diplomatike, ato ushtarake, në Ukrainë si dhe fenomenin e frymës pro ruse në vend, profesor Maleski thotë:

Rreziku kryesor për mu është padituria, nuk tentojmë ta arsimojmë popullin, ta emancipojmë dhe ta ndërtojmë me vlera perëndimor, për të cilat edhe jemi përcaktuar- demokraci, liri dhe shoqëri e hapur. Njerëzve iu vie më lehtë ta pranojnë qëndrimin rus, për të mos ndryshuar, e kanë të vështirë t’i pranojnë kërkesat për ndryshime që vijnë nga Perëndimi.

Spjegim tjetër logjik nuk ka, për faktin se struktura udhëheqëse në Rusi kthehet ka mesjeta, nuk është Parlamenti apo partitë politike që i prijnë interesit të shoqërise apo atij nacional, por është një njeri. E sot jemi dëshmitar se çka mund të bëjë ky njeri.

Një grup tjetër i elitës maqedonase “çarjen e gërmazit” për Putinin e arsyetojnë duke thënë se nuk është simpatia ndaj Putinit e madhe sa është revolti kundër Perëndimit, shkaku i ndryshimit të emrit, por edhe tash në çështjen e hapur me Bullgarinë.

Rreth kësaj tematike ka folur edhe i pari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi. “Parti parlamentare që është drejtpërsëdrejti Levica, që del edhe në foltore të Kuvendit dhe flet anti-Evropë dhe anti-NATO. Unë nuk them që e bën VMRO-ja, a mund të ketë elemente, mund të ketë. Nuk mund të përjashtoj mundësinë që elemente të caktuara, si kudo, mund të ketë edhe aty. Por nuk mund të them që VMRO-ja si udhëheqësi e bën këtë”.

Një gjë e këtillë u vërejt edhe në seancën e fundit parlamentare kur po miratohej Dekrlarata që dënon agresionin rus ndaj Ukrainës. Deputeti Borislav Krmov tha se “E Majta” nuk do ta mbështesë Deklaratën sepse siç vlerësoi ai është e njëanshme.

“Parlamenti nuk i dënoi aksionet ushtarake që ndodhën në Donbas në tetë vitet e fundit. Ne nuk kemi pasur deklarata për ata 14 mijë të vdekur, nuk kemi derdhur lot për ata fëmijë. Ne nuk dënojmë qendrën e ekstremit të djathtë, e cila sa herë që qeveria ukrainase shpall një marrëveshje me Donbass, kërcënon të rrëzojë qeverinë me dhunë. Ne nuk e dënojmë këtë situatë” tha Krmov.

Ivan Stoilkoviq, i Partisë Demokratike të Serbëve, shfrytëzoi foltoren e Kuvendit për të shpreh anti amerikanizmin, e tij, duke potencuar se Maqedonia e Veriut duhet të hapet edhe ndaj vendeve tjera.

Çdo vendim a qëndrim anti vlerave perëndimore, respektivisht vendeve që dënojnë agresionin rus është anim ka Putini dhe politikat e tij destruktive e anti njerëzore.

Putinistët urrejnë demokracinë, favorizojnë diktaturën dhe autokratët që sundojnë me maksimën: “Shteti? Ai jam unë!”.

Putinizmin në Maqedoninë e Veriut e ka gjykuar edhe publicisti i njohur Sasho Ordanovski. “Më vjen keq për bashkëqytetarët e mi të dashur maqedonas – që nuk janë pak! – të cilët, që nga Millosheviqi e këtej, janë vazhdimisht “aktiv” të dashuruar me politikanë si Putini”.

“Kjo luftë, për fat të keq, me gjasë do të zgjasë shumë dhe më e keqja nuk ka ardhur ende. Por nuk ka dyshim se fillimi i fundit të karrierës së Putinit, që do të mundësohet nga transmetimet direkte në qindra kanale televizive dhe internet, është mjaft i sigurt”, përfundon në kolumnën e tij Ordanovski.