Kodi i gjuhës është ADN-ja e një kombi

Gjuha e një kombi është dimensioni më koheziv, si në planin kulturor, ashtu edhe në atë politik. Jo rrallë gjuhës i atribuohen edhe epitete figurative për të dëshmuar fuqinë e saj. “Gjuha si armë”, “gjuha e diplomacisë”, “gjuha e forcës”, “gjuha e trupit “, të gjitha këto janë sintagma që shprehin magjinë e padukshme të gjuhës. Magjinë e asaj që nuk e shohim, por e ndjejmë, që nuk e prekim, por e përjetojmë.

Nëse e vështrojmë në planin socio-lunguistik e etno-psikologjik, gjuha është palca që identifikon tërësinë përbashkuese të vlerave identitare të një kombi. Kështu ka ndodhur edhe me kombin shqiptar. Zhvillimi socio-kulturor në etapa të ndryshme historike, i ka dhënë mundësi kombit shqiptar të mbijetojë pikërisht në bazë të gjuhës si një mjet i fuqishëm i përcaktimit identitar.

Një gjuhë quhet e zhvilluar vetëm atëherë kur ajo dëshmon lashtësinë e shkrimit dhe sensin e përsosjes në trajtat e ndryshme të komunikimit. Gjuha shqipe konsiderohet si një ndër gjuhët më të vjetra, por me një histori më të vonshme shkrimi. Kjo ka ndikuar që në bërthamën e formimit të gjuhës shqipe të ngjizen edhe trajtat e përafërta të gjuhëve fqinje të cilat kishin një traditë më të pasur shkrimi. Por, gjuha shqipe sërish ngeli një pasuri kolosale e kombit shqiptar dhe forca më argumentuese e ekzistimit të këtij kombi.

Historikisht, lufta për gjuhën shqipe është zhvilluar nga atdhetarët e devotshëm, të cilët vetëdijen e tyre kombëtare e kishin ngushtë të lidhur me vetëdijen gjuhësore. Kjo luftë i parapriu të gjitha luftërave të tjera, siç ndodhi, bie fjala, edhe me Kongresin e Manastirit (1908), i cili ishte një ngjarje e madhe e kombit tonë që erdhi në prag të Pavarësisë (1912).

Shkalla e vetëdijesimit të elitave që udhëhoqën kombin tonë në fund të shekullit 19 dhe në fillim të shekullit 20, u dëshmua me angazhimin e tyre për të unifikuar kombin përmes shkrimit të përbashkët. Dhe kjo nuk mund të arrihej pa një alfabet të përbashkët, i cili ishte edhe lajtmotivi i Kongresit të Manastirit, ku akujt e diferencave krahinore, fetare, ideologjike u shkrinë nga rrezet e fuqishme të shkronjave shqipe me alfabet latin. Në fakt ky nuk ishte një Kongres i thjeshtë që bashkonte mekanikisht alfabetet, por përtej kësaj, ai ishte edhe një mekanizëm që po shndërrohej në algoritëm për zhvillimin e gjithmbarshëm të kombit tonë. Kjo u dëshmua sidomos me shtrirjen e ndikimit të tij në planin e zgjimit kombëtar, përmes hapjes së shkollave, gazetave e institucioneve që dimensionin shkrimor të shqipes e kishin si një palcë që mbante vitalitetin e kombit.

Ashtu siç është dialektike zhvillimi i shoqërisë, e tillë është edhe dialektika e zhvillimit të gjuhës. Shqiptarët me kalimin e viteve e dekadave po e ndjenin pamjaftueshmërinë e përfshirjes së koloritit të tyre gjuhësor në një tërësi unike, prandaj u mendua që të gjendet një formë e kanalizimit të trajtave e ngjyrimeve dialektore në një sistem unifikues, siç ishte Kongresi Drejtshkrimit të gjuhës shqipe, i organizuar në vitin 1972 në Tiranë.

Me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga të gjitha trevat shqipfolëse dhe me kontributin e tyre në arritjen e një pajtimi gjuhësor-gjithëkombëtar, Kongresi i Drejtshkrimit ishte ngjarja me madhore që po hidhte themelet e një integrimi të brendshëm të kombit tonë. Kjo ndikoi pastaj që edhe kujdesi i shtetit shqiptar ndaj trevave të jashtme shqipfolëse të bëhet kategori kushtuese, një nxitje kjo që burimin e kishte pikërisht në Kongresin e drejtshkrimit të gjuhës shqipe.

Bashkimi gjuhësor i një kombi nuk është veprim mekanik, por është përcaktim kulturor e civilizues. Kjo ndodhi edhe me Kongresin e Manastirit dhe me Kongresin e drejtshkrimit, dy gurë të çmueshëm në mozaikun e gjerë të vetëdijesimit kombëtar të shqiptarëve.