Sondazhi i IRI-t në Maqedoninë e Veriut tregon rritje të ndikimit të huaj, mungesë transparence në partitë politike, mbështetje për nismën “Ballkani i Hapur” 

Shkup, Maqedonia e Veriut – Sondazhi i ri i zhvilluar nga Qendra për Hulumtime Anketuese të Institutit Republikan Ndërkombëtar (IRI) në Maqedoninë e Veriut tregon rritje të ndikimit kinez dhe rus, mungesë transparence në partitë politike dhe mbështetje për Nismën “Ballkani i Hapur”.

 

Në politikën e jashtme, 64% e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut pajtohen se marrëdhëniet e forta me Kinën më së miri u shërbejnë interesave të tyre. Gjashtëdhjetë për qind mendojnë të njëjtën për Rusinë. Kjo paraqet rritje prej njëmbëdhjetë përqind  për Kinën dhe rritje prej gjashtë përqind për Rusinë nga sondazhi i zhvilluar në shkurt të vitit 2020. Sondazhi i sapopublikuar tregon gjithashtu mbështetje të fortë për Bashkimin Evropian (BE) dhe Shtetet e Bashkuara. Gjithsej, 85% pajtohen se interesat e Maqedonisë së Veriut shërbehen më së miri nga marrëdhëniet e forta me BE-në dhe 76% pajtohen se kjo vlen për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

 

“Ndërsa Maqedonia e Veriut përpiqet të bëjë përparime demokratike, është shqetësuese që Kina dhe Rusia vazhdojnë të bëjnë depërtime të qëndrueshme”, tha Paul McCarthy, Drejtor Rajonal i IRI-t për Evropë. “Për fat të mirë, mbështetja për partneritete të ngushta me BE-në dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbetet shumë e fortë.”

 

Kur u pyetën për partitë politike, vetëm 21% e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut besojnë se ato janë transparentë gjatë punës me paratë e marra nga buxheti i shtetit. Më tej, 48% nuk dinin për shumën e buxhetit të shtetit që çdo vit ndahet për financimin e partive politike.

 

“Që një demokraci të ketë sukses është absolutisht thelbësore që partitë politike të ndërtojnë besim”, tha McCarthy. “Ky sondazh tregon se transparenca në partitë politike do të duhet të jetë prioritet në të ardhmen.”

 

Së fundi, 75% e të rriturve mbështesin Nismën “Ballkani i Hapur”, një seri marrëveshjesh që përfshijnë Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë për të ndihmuar në lehtësimin e tregtisë, biznesit dhe lëvizjes së qytetarëve midis vendeve.

 

Metodologjia

Sondazhi u zhvillua në emër të Qendrës për Hulumtime Anketuese të IRI-t nga Brima kompania për hulumtime të tregut (pjesë e grupacionit KANTAR dhe anëtare e shoqatës Gallup International Association). Të dhënat u mblodhën prej 27 nëntor deri më 23 dhjetor 2021, duke përdorur metodë të mostrës me shumë shkallë të shtresuar  nëpërmjet intervistave personale në shtëpi. Madhësia e mostrës përfaqësuese kombëtare ishte 1,226 të anketuar, të moshës 18 vjeç e më të vjetër. Të dhënat u ponderuan sipas moshës, gjinisë, rajonit dhe përkatësisë etnike. Marzhi i gabimit ishte ± 2.8 pikë në nivel të besueshmërisë prej 95%. Norma e përgjigjeve ishte 75 %.

 

IRI thekson se sondazhi është zbatuar gjatë përbërjes së kaluar të qeverisë dhe para pushtimit të Ukrainës nga Federata Ruse.

 

Ky sondazh u zhvillua me ndihmën e Fondacionit Kombëtar për Demokraci.