Shqiptarja që e bëri Kadarenë të rrëfente turqisht: Emocionohem vazhdimisht me veprën e tij

-

E larguar nga vendlindja në vitin 1997, Ece Dillioglu mori megjithatë diçka me vete: veprën e Ismail Kadaresë të cilën, për herë të parë në turqisht, do ta përkthente nga origjinali shqip. Emocionet që kam përjetuar në intervistimin e saj, janë saktësisht emocionet për të cilat i jam bashkuar gazetës. Sot, për herë të parë,  në një intervistë krejt të veçantë ekskluzivisht për Gazetën Nacionale, sjellim rrëfimin e asaj të ciles kultura shqiptare i ka një borxh të madh për transmetimin e letërsisë sonë drejt lexuesit masiv turk. Cilat ishin sfidat? Cili ishte motivi? Pse Kadare?

Këto dhe të tjera çështje si këto, do t’i lexoni ekskluzivisht nga ajo, në intervistën për Gazetën Nacionale.

  1. Si ka qenë përvoja juaj e punës me veprën e Kadaresë?

Fjalinë që duhet ta them në fund atëherë ta them që në fillim. “Më janë realizuar ëndrrat!”. Si një lodër që një fëmijë e do por nuk e arrin dot, si një dëshirë që synon të arrijë një i ri dhe si një qëllim për të cilin një i rritur ka punuar tërë jetën edhe unë kam dashur t’i përkthej veprat e të madhit Ismail Kadare. Deri tani kam përkthyer në turqisht 4 vepra të Ismail Kadaresë. Prej tyre Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur, Kronikë në  Gur dhe Darka e Gabuar janë botuar. Ndërsa e fundit, Piramida së shpejti do të jetë gati për botim. Në fakt këto vepra janë botuar edhe më parë në turqisht dhe janë të njohura nga lexuesi turk. Por asnjëra nga këto nuk është përkthyer drejtpërdrejt nga shqipja në turqisht po janë përkthyer nga gjuhët e tjera si frëngjishtja, anglishtja etj. Ata që punojnë në profesionin e përkthimit, ata që punojnë në fushën e shkencës së përkthimit dhe ata që lexojnë libra të përkthyera e dinë mirë se përkthimet e bëra nga një gjuhë e ndërmjetme (një gjuhë e tretë), ndonëse pa dashje e përcjellin shpesh temën, ngjarjet dhe emocionet që ndodhen në libër mangët ose të ndryshme. Prandaj për shkak se merrem me letërsinë shqipe dhe për shkak të profesionit tim akademik kam zbuluar se veprat shqipe të përkthyera në turqisht janë përkthyer nga gjuhët e tjera dhe nuk i kanë përcjell ndjenjat dhe emocionet e duhura. Madje kam temën e masterit të cilën e kam shkruar në lidhje me këtë. Si një person që i ka parë nga afër këto mangësi, mund të them se për mua përkthimi i librave të Kadaresë nga gjuha e tij amtare është përvoja më e madhe. Nga ana tjetër për mua pasqyrimi e kulturës amtare në një vend që kam jetuar, jam shkolluar, jam rritur dhe jam martuar, domethënë në Turqi është një përvojë me shumë rëndësi. Kam fituar përvojë dhe vazhdoj të fitoj nga veprat e shumë autorëve të vlefshëm të letërsisë shqipe si Dritëro Agolli, Kim Mehmeti dhe Mira Meksi, veprën e të cilës aktualisht jam duke e përkthyer. Sepse letërsia është si një pusi pa fund. Edhe Veprat e Kadaresë janë si një luginë e thellë e lidhur me kanale që herë kryqëzohen me njëri-tjetrin herë ndahen plotësisht. Ai ju pajis me përvoja dhe ndjenja të ndryshme në çdo libër të tij.

  1. Prej shkrimtarëve të gjallë, Kadareja është ndër të rrallët, fati i veprës së të cilit shpesh lidhet me fatet historike të vendit të tij. Çfarë i thotë kjo një përkthyeseje si ju?

Një ngjarje historike ose një fenomen të mirëpret gjithmonë në veprat e Kadaresë. Temat janë ndërtuar mbi këto fakte historike dhe duket se janë të ndërthurura. Nga përvoja ime mund të them se Kadareja është një shkrimtar i përkushtuar për historinë shqiptare. Duke përzier jetën shoqërore dhe historike të shqiptarëve me gjuhën e tij unike, ai i çon lexuesit e tij në një botë tjetër. Ai na tregon ngjarjet historike që lidhen pothuajse me çdo periudhë të popullit shqiptarë. Dhe këtë në disa vende e bënë me admirim, në disa vende me një qëndrim ironik. Është e rëndësishme të mësojmë nga historia dhe të shikojmë drejt së ardhmes. Sipas meje njeriu vetë e shkruaj fatin e tij.  Ismail Kadareja gjithashtu i tregon popullit shqiptarë një mënyrë për të shmangur përsëritjen e asaj që ka ndodhur në të kaluarën. Prandaj shqiptarët, të shpërndarë në shumë vende të botës, duhet ta mbrojnë gjuhën dhe kulturën e tyre dhe t’ua mësojnë atë brezave të rinj.

  1. Pse duhet ta lexojë lexuesi turk veprën e Ismail Kadaresë?

Unë që nga viti 1997 jetoj në Turqi. Kam ardhur këtu kur isha 6 vjeçe. Edhe pse vitet e para ishin të vështira, u përshtata shpejt për shkak të afiniteteve të shumta në kulturat tona. Kur isha në moshë të pjekur shihja qindra, mijëra, miliona shqiptarë. Megjithatë, nuk mund ta kuptoja nëse shqiptarët që jetonin këtu ndiheshin turq apo turqit i shihnin shqiptarët si veten e tyre. Ata ishin aq të ndërthurur sa nuk dalloheshin nga njëri-tjetri. Unë gjithmonë kam dashur ta ruaj dhe zhvilloj gjuhën time amtare. Sepse ai që harron gjuhën e tij harron edhe veten e tij. Në fakt, dëshira ime për të qenë përkthyese buronte nga kjo ide. Kuptova që lexuesit turq duhet ta njihnin popullin shqiptar dhe se populli shqiptar që jeton në Turqi duhet të njihej me kulturën e tij. Për këtë arsye, është e dobishme për të gjithë ata që jetojnë në Turqi ta lexojnë Ismail Kadarenë.

  1. Librat e Kadaresë në Turqi kanë dalë kohëve të fundit. Cila është pritja e publikut turk? Sa është audienca atje e gatshme për shkrimtarë ballkanikë?

Siç e përmenda edhe më parë, shumë nga librat e Kadaresë janë botuar edhe më parë në Turqi dhe janë të njohura për publikun turk. Megjithatë, mund të them se kjo situatë mori një dimension të ri, veçanërisht me qasjen e Shtëpisë Botuese KETEBE për të përkthyer nga gjuhët e tyre amtare veprat e të gjithë autorëve kryesorë ballkanikë. Kështu, shtëpia botuese KETEBE i ka shtuar një emocion të ri leximit duke e mbajtur atë aktuale. Përveç kësaj, shumë risi si programet në gjuhën shqipe në arsimin e lartë, lëndët me zgjedhje të shqipes në shkollat ​​e mesme, transmetimet shqip në televizionin shtetëror dhe mediat nderojnë popullsinë shqiptare që jeton në Turqi. Kjo bën që edhe interesimi për kulturën shqiptare të rritet në çdo segment.

  1. Cilat janë vështirësitë kyçe (nëse ka), të përkthimit të Kadaresë?

Nuk mund ta quaj vështirësi por emocion pa mbarim. Kam përkthyer katër libra të Kadaresë por akoma jam e emocionuar. Kam shkruar një temë masteri dhe shumë artikuj për Kadarenë. Për momentin jam duke shkruar temën e doktoratës në lidhje me Kadarenë por ende jam e emocionuar. Mund të them se në çdo hap zbuloj diçka të ndryshme dhe idetë e mira evoluojnë në një dimension të ri. Përveç përkthimit që bëj me veprat e Kadaresë unë njëkohësisht shkel në gurin ku ai ka shkelur, udhëtoj në rrugët që ai ka udhëtuar, përjetoj gjithashtu çdo emocion që ndjen dhe mendon ai. Nuk kam vështirësi, por kujtimet e mia, malli, ndjenjat ndaj atdheut dhe entuziazmi që më kanë krijuar të gjitha këto më ndeshen edhe në ëndrrat e mia shumë net.

  1. Kritikët dhe mediat e quajnë shpesh veprën e Kadaresë si dritare për ta njohur kulturën shqiptare. Çka domethënë kjo për ju? A është kultura shqiptare më e afërt për ju pas leximit e përkthimit të Kadaresë?

Të njëjtën gjë mund ta them edhe unë sidomos si një shqiptare e ndarë nga vendlindja. Nëse jeni të interesuar për kulturën shqiptare, duhet të lexoni patjetër veprat e Ismail Kadaresë. Madje duhet ta lexoni nga gjuha origjinale. Unë rekomandoj që shqiptarët që nuk e dine, e kanë harruar ose nuk e kuptojnë shqipen, të paktën të lexojnë përkthimet nga gjuha amtare të veprave të Kadaresë. Ne edhe pse erdhëm familjarisht në Turqi me valën e fundit të emigracionit, ende në këtë mall prej afro 25 vitesh, të gjitha gjurmët e kulturës shqiptare i mbajmë në familjen tonë bërthamore. Ajo që më bën përshtypje është përjetimi i kësaj kulture në masa më të gjera me veprat e Kadaresë. Edhe nëse është një ëndërr, një libër mund ta kthejë një person në shumë gjendje emocionale. Siç e përmenda edhe më parë përkthimi i librave të Kadaresë mua më jep krenari dhe nder. Jam shume e lumtur që luaj një rol në njohjen e kulturës shqiptare.

  1. A shkruani edhe vetë letërsi dhe, nëse po, çfarë shkruani?

Përveç studimeve akademike dhe përkthimeve nuk kam ndonjë vepër letrare. Tani për tani me letërsinë merrem vetëm në kontekstin e ideve. Mendoj se jam ende shumë në fillim të rrugës. Qëllimi im parësor është të jem përfaqësuese e gjuhës dhe letërsisë shqipe në Turqi.

Lajmet e fundit

Ahmeti kryen homazhe në varrezat e Fehmi e Xhevë Lladrovcit në 25 vjetorin e rënijes së tyre

Në përvjetorin e 25 të rënijes heroike së Fehmi e Xhevë Lladrovcit, kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali...

Penov mbron ministrin: Tekstet shkollore nuk janë problem i Shaqirit, por i shtetit

Ministri i Pushtetit Lokal, Risto Penov në një intervistë të dhënë për indeks.mk, ditë më parë ka thënë se...

Sot Dita Ndërkombëtare pa Makina

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare pa Makina, e cila synon sensibilizimin e njerëzve që të shmangin të paktën për një...

25 vjet nga rënia heroike e Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit

Sot bëhen 25 vjet nga rënia heroike e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fehmi Lladrovci dhe bashkëshortes së...
- Advertisement -

Tayna shfaqet në super formë në pozat para pasqyrës

Reperja e njohur shqiptare, Tayna ishte ndër artistet më të angazhuara me koncerte dhe mbrëmje muzikore edhe gjatë...

Karlos Sainz: Po mësoj t’i besoj më shumë makinës

Ferrari driver Carlos Sainz of Spain celebrates after winning the British Formula One Grand Prix as Mercedes driver...