Gjendja aktuale e status-kuos nuk i shkon askujt për shtati. Bllokada e negociatave inkuadruese për vendin ndjehet në mbarë rajonin. Është e domosdoshme Maqedonia e Veriut të ketë perspektivë të fuqishme dhe të qartë evropiane, tha sot kryeministri Dimitar Kovaçevski pas takimit me përfaqësuesin e lartë të BE-së për Politikët të jashtme dhe të Sigurisë dhe nënkryetar i Komisionit Evropian, Zhozep Borell.
Në konferencën e përbashkët për shtyp pas takimit, Kovaçevski u falënderua për mbështetjen e pakursyer nga Borelli, që vendi të marrë datë për fillimin e negociatave pa anulim.
Sipas Kovaçevskit, vetëm Evropa tërësisht e bashkuar mund të jetë e fuqishme.
“Në periudhë jostabiliteti, si asnjëherë deri më tani paraqitet nevoja Evropa të jetë e bashkuar dhe e fuqishme. Lufta e cila ndodh është rrezik për ndikimin e rritur të palëve të treta në rajon për çka të gjithë duhet të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm dhe të gatshëm. Lënia e zbrazëtirës gjeostrategjike në pjesën tonë të Evropës nuk është opsion, integrimi i shpejtë i Maqedonisë së Veriut dhe i rajonit në BE do të sigurojë stabilitet në Evropë. Janë të nevojshme procese të përshpejtuara dhe të përforcuara të integrimit në BE”, potencoi kryeministri.
Lidhur me kontestin ruso-ukrainas, ai rikujtoi se Maqedonia e Veriut si anëtare e NATO-s dhe vend-kandidat e vendosi pozitën e vet në një linjë me aleatët e vet, SHBA-në dhe NATO-n.
Me homologun nga Bullgaria, shtoi, është vendosur parim i ri i bashkëpunimit i cili, sipas Kovaçevskit është rruga e duhur nëpër të cilën do të vijmë drejt zgjidhjes së kontestit.
“Me rëndësi të madhe është BE-ja dhe vendet anëtare të kyçen, pasi zgjerimi me vendet e Ballkanit Perëndimor tashmë është çështje strategjike dhe e sigurisë. Integrimi do të thotë përkushtim për një Evropë stabile dhe të bashkuar. Vendet e Ballkanit Perëndimor janë të lidhura ngushtë – kur ka progres tek një vend, ndërsa ky është stimul për progresin tek fqinjët e tjerë”, theksoi Kovaçevski, duke shtuar se kjo Qeveri mbetet e përkushtuar në reformat dhe proceset reformuese, në qeverisjen e së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit si edhe në çështjet ekonomike, ndërsa mbështetja financiare nga BE-ja do të japë kontribut të madh në këtë drejtim.