Zëvendëskryeminstri i parë dhe ministër për Sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Artan Grubi sot ka mirëpritur ambasadoren e SHBA-ve Kate Marie Byrnes.
Vendi ynë vazhdon të ketë përkrahjen e fuqishme të SHBA-së në rrugëtimin e tij të eurointegrimit. Rreth rëndësisë së këtij partneriteti për sigurinë e vendit të formalizuar me anëtarësimin tonë në NATO dhe stabilitetin e rajonit biseduam sot me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vend, znj. Kate Marie Byrnes. Njoftova ambasadoren Byrnes për rrjedhën e dialogut me Bullgarinë dhe qasjen tonë konstruktive për të zhbllokuar sa më shpejtë rrugën e integrimit, për masat e ndërmarra ekonomike në mbrojtje të standardit jetësor të qytetarëve nga kriza globale ekonomike dhe energjetike, si dhe për Korridorin 8 që pritet të fillojë të ndërtohet në mes të këtij viti nga kompania e mirënjohur amerikane Bechtel Enka. Bashkëbisedimin tonë e përfunduam duke dënuar agresionin rus në Ukrainë me ç’rast shpreha gatishmërinë e Qeverisë së vendit për të mirëpritur ukrainasit që do të kërkojnë strehim në vendin tonë.