Maqedonia e Veriut është ndër vendet me pensione më të larta në rajon, duke arritur shifrën mesatare prej rreth 258 euro në muaj ndërsa Shqipëria renditet ndër vendet me numrin më të lartë të pensionistëve pasi në këtë vend janë regjistruar gjithsej 674.092 përdorues të pensioneve, njofton Flaka. Kosova, megjithëse ka numrin më të ulët të përdoruesve të pensioneve, po ashtu me një pension bazë prej 100 euro është vendi me pensione më të ulëta në rajon.

Sipas tij, në mënyrë plotësuese në kuadër të masave kundër krizës, për muajt prill, maj dhe qershor, secili pensionist do të marrë nga 1000 denarë shtesë për të mbrojtur standardin ekonomik në kohë krize. Me rritjen e pensioneve dhe ndihmën prej 3000 denarë, secili pensionist do të marrë 12.000 denarë më shumë në llogarinë e tij.

Në nëntor të vitit të kaluar pensioni mesatar në këtë vend ishte rreth 258 euro. Vlen të theksohet se shuma mesatare e pensioneve të pleqërisë ishte rreth 278 euro, e pensioneve familjare rreth 206 euro dhe e pensioneve invalidore rreth 232 euro. Shumë mesatarisht më të madhe të pensioneve marrin përdoruesit e pensioneve ushtarake, edhe atë rreth 375 euro.

“Pas rritjes së rrogës minimale dhe asaj mesatare, edhe 326.841 pensionistë do të kenë pensione më të larta pas përcaktimit të metodologjisë së re për rritjen më të madhe të pensioneve deri më tani në mbledhjen e mbajtur të Qeverisë me përfaqësuesit e shoqatave dhe Partinë e pensionistëve. Përveç kësaj, vendosëm që të ndihmojmë pensionistët me nga 1.000 denarë shtesë në pensionet e tyre për muajt Mars, Prill, Maj në kohë të krizës globale ekonomike dhe energjetike”, shprehet zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Artan Grubi.

Fatmir Besimi, ministër i financave thotë që përmes dialogut kemi vendosur një metodologji të re për llogaritjen e pensioneve me të cilën pensionistët do të marrin pensione më të larta.

“Po ashtu, si Qeveri, duke pasur parasysh krizën energjetike dhe të çmimeve, kemi siguruar mbështetje direkte për pensionistët nga 1000 denarë në muajt mars, prill dhe maj 2022”, shprehet Besimi.

Me fillimin e vitit 2022 në Kosovë pensionet bazike arrijnë vlerën 90 euro, pensionet e aftësisë së kufizuar 75 euro, pensioni familjar 90 euro dhe pensioni invalidor i punës 90 euro. Janë aplikuar shtesa për këto lloj kategori pensionesh në mënyrë që ato të mos jenë nën 100 euro.

Në Shqipëri pensioni bazë minimal për pensionet e pleqërisë, invaliditetit dhe ato familjare deri në mars do të jetë 14448 lekë, kurse nga prilli do të bëhet 14.924. Në euro, pensioni bazë minimal në shtetin shqiptar do të jetë 121.63 euro. Pensioni maksimal nga 28.898 lekë, me rritjen e Prillit do të bëhet 29.851 duke u rritur me 953 lekë për muaj, pra 243.28 euro.

Në Shqipëri masa maksimale e pensionit është rreth 238 euro, për pensionet e plota të pleqërisë, pensionet e plota të invaliditetit dhe pensionet e plota familjare. Për të njëjtat kategori, masa minimale e pensioneve është rreth 119 euro në muaj.

Një kategori në mesin e pensioneve në Shqipëri është përfshirë edhe pensioni social në masën rreth 65 euro, që konsiderohet në masën më minimale të pensioneve, njofton Flaka. Ky pension i jepet çdo shtetasi shqiptar, i cili ka mbushur moshën 70-vjeç, është me qëndrim të përhershëm në Shqipëri të paktën për pesë vitet e fundit dhe nuk plotëson kushtet për asnjë lloj pensioni nga skema e detyrueshme e sigurimeve shoqërore.Duke iu referuar kategorive të ndryshme të pensioneve, masa mesatare e pensioneve në Shqipëri është rreth 126 euro.

Në muajin nëntor të vitit të kaluar, sipas të dhënave të publikuara nga Fondi i Sigurimit Pensional dhe Invalidor, në Maqedoninë e Veriut kanë qenë të regjistruar 325.156 përdorues të pensioneve. Prej tyre, pjesa më e madhe (219.856) janë përdorues të pensioneve të pleqërisë ndërsa pjesa tjetër janë përdorues të pensioneve familjare (75.080) dhe pensioneve invalidore (30.220).

Sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH), në Shqipëri deri në muajin shtator të vitit 2021 përfitues nga skema e detyrueshme e sigurimeve shoqërore janë në total 674.092 pensionistë. Mes tyre 553.509 janë përfitues të pensionit të pleqërisë, 68.649 përfitues të pensionit invalidor dhe 51.934 përfitues të pensionit familjar.

Në Kosovë rreth 121 mijë qytetarë të moshës mbi 65-vjeç janë në listat që paguhen për pensionet bazike ndërsa numri i pensionistëve kontribut-pagues është rreth 43 mijë. Në total janë rreth 165 mijë përfitues të pensioneve në Kosovë.ga viti 2021 me vendim të përhershëm të qeverisë, pensionet bazike, pensionet e aftësisë së kufizuar, pensioni familjar dhe pensioni invalidor i punës janë bërë nga 100 euro. Flaka