Kodi zgjedhor, Ademi: Modeli me gjashtë njësi i përgjigjet shoqërisë multietnike

Deputetja e Bashkimit Demokratik për Integrim, Vjollca Ademi, në një prononcim për indeks.mk ka folur për ndryshimin e kodit zgjedhor, respektivisht modelit zgjedhor.

Ajo tha se partia e udhëhequr nga Ahmeti është hapur për konsensus të përbashkët me të gjitha partitë për kodin zgjedhor dhe në parim mbështet atë që është më e mirë për një shoqëri multietnike, siç është shoqëria në RMV.

“Jemi për bisedime, për t’i shtruar argumentet për një konsensus të gjerë, ndërpartiak dhe ndëretnik, për një model që më së miri do të reflektonte strukturën heterogjene të shoqërisë”, deklaroi Ademi.

Shtoi se një ndër opsionet e BDI-së është edhe mbetja e gjashtë njësive zgjedhore, sepse ka rezultuar si model i suksesshëm që nga viti 2002 prej se aplikohet.

“Modeli zgjedhor, me gjashtë njësi zgjedhore rezultoi pas konfliktit të vitit 2001 dhe për herë të parë u aplikua në vitin 2002, e i cili  në bazë të argumenteve më së miri reflektoi apo pasqyroi këtë strukturë heterogjene të shoqërisë”, tha Ademi.