Xhaferi-Gërvalla: Maqedonia e Veriut dhe Kosova kanë përcaktime dhe qëllime të njëjta strategjike në politikën e jashtme

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, sot realizoi takim me ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla Shvarc, njoftojnë nga Kabineti i Xhaferit, shkruan Telegrafi Maqedoni.

“Kryetari Xhaferi shprehu kënaqësi për takimin që realizohet në një periudhë të shkurtër pas vizitës së tij zyrtare në Republikën e Kosovës. Ai theksoi se në takimet me kreun shtetëror të Republikës së Kosovës, u konfirmua se marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale dhe bashkëpunimi i suksesshëm ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës karakterizohen me mbështetje dhe respekt të ndërsjellë, dialog të hapur dhe konstruktiv.

Ai nënvizoi se të dy vendet kanë përcaktime dhe qëllime të njëjta strategjike në raport me politikën e jashtme. E nënvizoi mbështetjen e Maqedonisë së Veriut për aspiratat euroatlantike të Republikës së Kosovës, si edhe gatishmërinë tonë për dhënien e kontributit në atë drejtim. Republika e Maqedonisë së Veriut, si anëtare e NATOS, me pjesëtarët e vet të Armatës merr pjesë në KFOR dhe në këtë mënyrë kontribuon në stabilitetin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Njëherazi, Xhaferi përsëriti se vendi ka qëndrim afirmativ për aderimin e Republikës së Kosovës në të gjitha organizatat dhe nismat multilaterale dhe rajonale dhe do të vazhdojë me mbështetjen në këtë plan.

Në vazhdim, Kryetari Xhaferi shtoi se Republika e Maqedonisë së Veriut mbetet edhe më tej fuqishëm e përkushtuar ndaj proceseve eurointegruese, me zbatimin e reformave që do na sigurojnë ardhmëri evropiane, dhe me qasje dhe energji të re në bisedimet për tejkalimin përfundimtar të dallimeve me Sofjen.

Gërvalla falënderoi për mbështetjen parimore të Republikës së Maqedonisë së Veriut për Republikën e Kosovës dhe i potencoi marrëdhëniet e shkëlqyera fqinjësore, pa çështje të hapura.

Ajo foli edhe për perspektivën euroatlantike të Kosovës, me përqendrim në përpjekjet për fitimin e liberalizimit të vizave me BE-në dhe informoi se këtë vit, Kosova do të aplikojë për status kandidati në BE.