Një pyetje publike për Selën: Nëse s’është pishman, a do të thotë se prapë do të bashkëpunojë me Apasievin?

Është folur shumë për bashkëpunimin opozitar shqiptar-maqedonas, dhe publiku i di përpjekjet “mbinjerëzore” për ta përmbysur pushtetin. Veçanërisht në këtë drejtim është shquar Arben Taravari i ASH-së për të arritur një koalicion midis opozitës shqiptare dhe VMRO-DPMNE-së e Të Majtës. E themi Taravarin, sepse, gjithë kohën ai ishte në plan të parë. Ishte fituar madje bindja se kjo ishte kauza e tij personale, që ta përmbysë pushtetin, duke bërë koalicion edhe me një parti të deklaruar problematike, si partia e Apasievit, dhe kjo sikur aspak nuk i pengonte Taravarit.

Mirëpo, a nuk është keqkuptuar Taravari? A nuk i ka hyrë ndër hak publiku kur ka menduar se ai është ideator i një “bashkëpunimi me djallin” vetëm për të ardhur në pushtet?

Duket se këto dilema na i hoqi shefi i Taravarit, ZijadinSela, në bisedë me Arta Tahirin te “Rruga drejt”(TV Alsat), kur i pyetur se a është pishman, tha se jo, duke u shprehur se pse të ishte kundër një aktiviteti që do të çonte në rrëzimin e qeverisë!

Na fal, Arben,s’paske pas faj ti, por ti vetëm paske qenë lojal dhe e ke çuar vullnetin e shefit tënd, që edhe me Apasievin të bashkëpunohet, vetëm qëllimi të arrihet.

Kjo deklaratë e Selës vjen në një periudhë të çuditshme. Në prag të kongresit dhe madje pas një përplasjeje verbale me Apasievinkur njëri tjetrit i sugjeronin të mësojnë shqip e këndojnë me sharki për Enver Hoxhën!

Sela me deklaratën se nuk është bërë pishman,  nuk do t’ia dijë fare për faktin që shumë anëtarë të ASH-së, atë episodë bashkëpunimi me Apasievin, do të donin ta harronin sa më parë. Që do të thotë se prapë, edhe pas të gjitha deklarimeve, madje edhe pas kësaj të fundit që Apasievidon ta çojë në Gjykatën Kushtetuese çështjen e gjuhës shqipe në uniformat e policisë, Sela, do të jetë i gatshëm të harrojë gjithë profilin e Levicës dhe të liderit ndërtuar në një platformë krejtësisht të kundërt nga ato të ASH-së dhe partive tjera shqiptare,  dhe një ditë të uruar prapë ta çojë Taravarin për t’u buzëqeshur para kamerave në një tavolinë me Apasievin. Ose të ulet vetë Sela me të.

Të mos e kishte thënë vetë me gojë, dikush do të thoshte se po shpifim…