Fatmir Dehari Godet VMRO-Në: Qytetarët Ju Dhanë Përgjigjen Në Vitin 2013, 2017 Dhe 2021

Kryetari i komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari përmes një postimi në rrjetet sociale i është drejtuar VMRO-së të cilët gjithnjë mundohen të kontestojnë fitoren e tij në këtë komunë për të tretin mandat me rradhë. Dehari thekson se tashmë qytetarët ju kanë dhënë përgjigjen atyre në tre ciklet zgjedhore duke e shpallur atë fitues dhe drejtues të komunës.

Postimi i Deharit:

Për VMRO- në,

Më 30 tetor të vitit 2021 kam fituar mandatin e tretë rradhazi në Komunën e Kërçovës nga vullneti shumicë i qytetarëve. Vazhdoj në bashkpunim me qytetarët, pavarsisht përkatsisë etnike të realizoj programin katërvjeçar të komunës, si dhe të menaxhoj problemet që paraqiten brenda kohës si pasojë e krizës energjetike botërore dhe krizave tjera ekonomike!

Është e drejtë qytetare të protestohet, apo të shfaqet paknaqësi e argumentuar, por asesi nuk është e pranueshme për mua të thirresh si militant i VMRO-DPMNE-së në emër të kërçovarëve.

VMRO-DPMNE-së qytetarët ia kanë dhënë përgjigjen në vitin 2013, 2017 dhe 2021 . Ndërsa unë i ftoj të jenë pjesë e bashkpunimit dhe zgjidhjes së problemeve, e jo shkaktarë si në të kaluarën, ashtu edhe tani i krijimit të problemeve.

Promovimi në emër të popullit për të fituar pikë politike dëmton imazhin e tyre dhe pikërisht kjo qasje e gabuar paraqet çrrënjosje të vlerave demokratike. Andaj, bëj thirrje që VMRO- DPMNE të jetë më e matur në veprime, të punojë pa shantazhe dhe të mendojë kthjellët në përmbushjen e premtimeve.

Zgjidhja e kërkesave nuk e ka vendin në rrugë, por brenda institucionit ku edhe janë të përfaqësuar përmes këshilltarëve të tyre.