Ahmeti Pret Delegacionin E ‘Koalicionit Të Shqiptarëve’ Nga Lugina E Preshevës

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka pritur një delegacion nga Presheva të Partisë për Veprim Demokratik, Partisë Demokratike dhe Lëvizjes së Progresit Demokratik, të kryesuar nga Shaip Kamberi, bartës i listës së ‘Koalicionit të Shqiptarëve’ që garon në zgjedhjet parlamentare e presidenciale të Tre Prillit në Serbi.

‘Sigurimi i të drejtave të plota për shqiptarët në Luginën e Preshevës nuk rrezikon me asgjë shtetin serb dhe është i domosdoshëm që karshi kësaj të reflektojë edhe Beogradi zyrtar’ , tha Ahmeti duke nënvizuar se edhe aktualisht Serbia, por edhe i gjithë rajoni duhet të mos i përsëris gabimet e së kaluarës.

Shaip Kamberi, ndërkaq ka rikujtuar se autoritetet serbe  nuk po vënë në jetë tri marrëveshjet e firmosura prej vitesh, me ndërmjetësimin e OSBE-së për avancimin e statusit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës e që kanë të bëjnë me realizimin e të drejtave në të gjitha fushat, veçmas për barazi dhe integrim në të gjitha levat e pushtetit në rrafshin lokal për shkak se, tha ai, vetëm kështu do të mund t’i jepet fund diskriminimit të tyre mbi baza etnike.

Kreu i BDI-së, duke nënvizuar domosdonë e bashkëpunimit të forcave politike të të gjitha spektreve atje, mbështeti angazhimin e tre subjekteve politike nga Lugina e Preshevës që në negociatat Kosovë-Serbi të përfshihet edhe çështja e Luginës përkatësisht që në tavolinën e bisedimeve të shtrohet edhe reciprociteti: Sa të drejta për serbët në Kosovë po aq edhe për shqiptarët në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë.

Gjatë takimit u diskutuan edhe zhvillimet në rajon me theks të veçantë mbi ngjarjet në Ukrainë si rezultat i agresionit rus.