Inspektorati Shtetëror për Mjedisin Jetësor (ISHMJ) në bashkëpunim me Institutin për Studime të Komunikimit (ISK) në kuadër të fushatës “Sqaroni gjithçka”, sot do ta prezantojë Regjistrin digjital për subjektet e inspektimit dhe raportet inspektuese.
Sipas Institutit për Studime të Komunikimit, në këtë ngjarje do të marrin pjesë drejtori i ISHMJ-së, Sreten Stojkovski dhe udhëheqësi i Departamentit për mbështetje, analitikë dhe bashkëpunim ndërkombëtar të Inspektoratit, Darko Blinkov.
“Parimi i publicitetit dhe transparencës, si dhe legjislacioni kombëtar dhe i BE-së kërkojnë që qytetarët të kenë qasje të lirë në informacionin publik në lidhje me inspektimet në mjedisin jetësor. Me ekzistimin e një regjistri digjital të subjekteve të inspektimit në nivel shtetëror dhe lokal dhe bazës së të dhënave të inspektimeve të kryera, qytetarëve u sigurohet një pasqyrë më e madhe publike në punën e shërbimeve të inspektimit”, theksojnë nga ISK.