Reformat e RTM-së në vendnumëro, të ardhurat dhe numri i të punësuarve vazhdojnë të bien (Infografik)

-

Nuk ka lëvizje pozitive lidhur me zgjidhjen e problemeve me të cilat ballafaqohet Radiotelevizioni të Maqedonisë; reformat vendnumërojnë, ndërsa me kalimin e kohës shfaqen sfida të reja plotësuese që vënë në pikëpyetje funksionimin normal të servisit radiodifuziv publik në vend, transmeton Meta.mk.

Raporti i fundit monitorues i titulluar “Monitorimi i Procesit të Integrimit Evropian: Reforma në Administratën Publike” i përgatitur nga Fondacioni Metamorfozis për tremujorin e parë të vitit 2022 tregon se situata me reformat në sektorin e mediave, përfshirë reformën në RTM, nuk ka ndryshime. Ndërkohë, Raporti i monitorimit të autorit Teofil Blazhevski nxjerr në pah disa probleme aktuale me të cilat RTM-ja ballafaqohet: Zgjedhja e anëtarëve të rinj të Këshillit Programor të RTM-së nga Kuvendi i RSM-së, financimi i RTM-së nga buxheti i shtetit dhe punësimi i punëtorëve me honorar.

Ngjashëm sikur rasti me zgjedhjen e Këshillit të ri të Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale, nuk janë zgjedhur as anëtarët e rinj të Këshillit Programor të RTM-së dhe nuk ka paralajmërime se problemi do të zgjidhet edhe në tremujorin e dytë të vitit 2022.

“Ekspertët nuk shohin ndonjë lëvizje në këtë drejtim, pavarësisht se një kohë të gjatë justifikimet nga legjislativi dhe ekzekutivi ishin që problemi qëndron në ngecjen e Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime në Kuvend. Tashmë që ky problem është zgjidhur, disa javë më parë, Komisioni nuk e sheh të nevojshme të riaktivizojë konkursin, i cili për arsye procedurale do të duhet të shpallet i pavlefshëm dhe të rishpallet për të tretën herë. Të kujtojmë se është obligim ligjor i Kuvendit të plotësojë organet në Agjencinë për Media dhe në RTM”, thuhet në raportin e monitorimit të Fondacionit Metamorfozis.

Përveç mungesës së vullnetit politik për zgjedhjen e organit të ri drejtues të RTM-së, dokumenti i publikuar për reformat në administratën publike, i Fondacionit Metamorfozis, e rikujton problemin me financimin e servisit publik. RTM-ja prej vitesh pranon buxhet në  minimumin e paraparë me ligj apo edhe nën minimumin ligjor, në vend se të zbatohet zgjidhja ligjore, gjegjësisht financimi i RTM-së të arrijë në nivelin 1% të buxhetit të shtetit që është realizuar në vitin paraprak buxhetor.

“Financimi i servisit publik mbetet problem që përvidhet qysh nga ndryshimi i legjislacionit në vitin 2017, kur shteti vendosi të ndryshojë modelin e financimit të RTM/RTN dhe në vend të tarifës për radiodifuzion, financimi të bëhet nëpërmjet buxhetit të shtetit”, thuhet në Raportin e monitorimit.

Aty përmendet edhe zgjidhja e problemit me kontratat e personave të angazhuar me afat të caktuar në RTM, duke thënë se procesi është i vështirë për shkak se lejet e punësimit në RTM shkojnë me miratim të detyrueshëm nga Ministria e Financave.

Se gjendja është e edhe keqe me servisin publik radiodifuziv tregon Raporti vjetor për punën e Radio Televizionit të Maqedonisë për vitin 2021, që u publikua para pak kohe. Të ardhurat totale vitin e kaluar arritën në rreth 15,9 milionë euro dhe janë rreth gjysmë milionë euro më të ulëta krahasuar me vitin 2020. Shpenzimet e realizuara në vitin 2021 arritën në mbi 16 milionë euro dhe kanë shënuar rritje krahasuar me vitin paraprak.

 

“Në këtë kontekst, është e nevojshme të theksohet se reduktimi i vazhdueshëm i përmendur i mjeteve për financimin e veprimtarisë radiodifuzive dhe mosrespektimi i Ligjit për ASHMAV nga ana e shtetit, në fakt daton disa vite më parë, gjegjësisht nga heqja e tarifës radiodifuzive dhe në vend të shumës së përcaktuar me ligj prej “1% (duke filluar nga viti 2021) të të hyrave totale të realizuara në vend gjatë vitit para vitit fiskal për të cilin është përcaktuar shuma, mjetet që i merr RTM-ja në periudhën e përmendur janë shumë më të ulëta se sa shumat e përcaktuara me ligj”, thuhet në Raportin vjetor për punën e RTM-së.

Servisi publik ka përllogaritur se mjetet për financimin e veprimtarisë radiodifuzive që janë shkurtuar në MRT janë rreth 10 milionë euro në vit.

“Ky është një problem serioz me të cilin ballafaqohet kjo shtëpi dhe mungesa e vazhdueshme e burimeve financiare shkakton vështirësi në funksionimin aktual, e vë në pikëpyetje shlyerjen e borxheve të vjetruara, digjitalizimin e radios, prodhimin dhe prokurimin e përmbajtjeve të reja programore dhe më e rëndësishmja zbatimin e strategjisë pesëvjeçare zhvillimore që është hartuar sipas standardeve më të larta dhe në bashkëpunim me ekspertë të BE-së dhe EBU-së”, paralajmërojnë nga RTM.

Një problem tjetër alarmant është ulja e vazhdueshme e numrit të punonjësve në servisin publik. Të dhënat nga Raporti vjetor thonë se në RTM më 31 dhjetor 2021 kanë punuar gjithsej 704 persona, që është për 9 persona më pak se në fund të vitit 2020. Meta.mk ka kohë që shkruan për mungesën e stafit, ashtu që në maj 2020 të dhënat tregonin se RTM kishte 755 të punësuar, nga të cilët 205 gazetarë.

Maqedonia e Veriut pranon rregullisht kritika nga Komisioni Evropian (KE) për gjendjen e servisit radiodifuziv publik në Raportet për progresin e reformave të vendit drejt BE-së. Në raportin e fundit të KE-së për vitin 2021 thuhet se reformat e premtuara në RTM dhe në Agjencinë për Media mbetën të parealizuara edhe një vit, kurse problem i veçantë është financimi dhe sigurimi i pavarësisë së RTM-së.

“Servisi radiodifuziv publik ka miratuar një strategji pesëvjeçare për zhvillim, por procesi i reformës është penguar nga vonesat në emërimin e anëtarëve të Këshillit Programor dhe Këshillit të Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale, të cilëve u kanë skaduar mandatet”, rikujtoi Komisioni Evropian në Raportin e kaluar në tetor.

Lajmet e fundit

MF: Plani i qëndrueshmërisë fiskale – Masa konkrete dhe rekomandime për racionalizimin e shpenzimeve joproduktive te shfrytëzuesit buxhetorë

Përmes masave dhe rekomandimeve konkrete të integruara në Planin e qëndrueshmërisë fiskale dhe përkrahjes së rritjes ekonomike, do të...

Dinamo me mungesa të mëdha para duelit me Balkanin

Kampioni kroat, Dinamo Zagreb, vjen në Prishtinë me shumë probleme para sfidës me kampionin e Kosovës, skuadrën e Balkanit....

PS pr/rezolutë për denimin e sulmit në veri të Kosovës: Mbështesim qëndrimin e qeverisë së Kosovës, Serbia të dorëzojë kriminelët

Faxnews ka siguruar projekt-rezolutën e PS ku dënon sulmin terrorist në veri të Kosovës. Në projekt-rezolutë, PS mbështet cdo...

‘Emoji-t’ po vijnë në Gmail

Google ka konfirmuar se po sjell ’emoji-t’ në shërbimin e saj Gmail, derisa flitej për një gjë të tillë...
- Advertisement -

4 tetor 1824, Meksika shpalli pavarësinë

Pas një lufte 11-vjeçare shkëputjeje nga Spanja, populli meksikan më në fund mori shtetin e tij për herë të...

Do të zgjidhet çështja e personave pa shtetësi në Maqedoni, miratohen ndryshimet e nevojshme ligjore

Në Kuvendin e RMV-së janë miratuar ndryshimet në ligjet për vendbanim dhe qëndrim dhe për letërnjoftime, me të cilat...