Forum investues ndërkombëtar në Shkup

Forum investues ndërkombëtar do të mbahet sot në Shkup, në organizim të Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut.

Forumi është pjesë e projektit “Gazele – organizimi i rritjes së përshpejtuar për NVM-të potenciale inovative”, ndërsa Oda e organizon në bashkëpunim me organizata partnere nga Greqia, Qiproja dhe Bullgaria. Projekti promovon dhe mbështet masat brenda rrjetit ballkanik të engjëjve të biznesit midis vendeve pjesëmarrëse, duke mbështetur kapacitetin e kompanive të vogla dhe të mesme për t’u rritur në tregjet rajonale, kombëtare dhe ndërkombëtare dhe për t’u përfshirë në procese inovative.

“Qëllimi kryesor i forumit është të inkurajojë dhe mbështesë kompanitë e vogla dhe të mesme inovative dhe me rritje të shpejtë, engjëjt e biznesit nga vendet ballkano-mesdhetare, përkatësisht nga Maqedonia e Veriut, Greqia, Qiproja dhe Bullgaria, t’i prezantojnë aktivitetet dhe pritshmëritë e tyre , me mundësinë për të qenë më konkurrues në treg dhe për të forcuar bashkëpunimin me kompani të tjera të huaja, veçanërisht me vendet e zonës ballkano-mesdhetare. Qëllimi përfundimtar i projektit është krijimi i një rrjeti ballkanik për të mbështetur kompanitë inovative me rritje të shpejtë, tha Oda Ekonomike e Maqedonisë së Veriut.

Janë paralajmëruar deklarata nga prof. dr. Leonid Nakov, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”, Shkup – Qendra për Kërkime Ekonomike dhe nga prof. Antonis Livieratos, profesor në Universitetin Kombëtar dhe Kapodistrian të Athinës.