Gjendja me pandeminë – shpresuese, hiqen maskat në ambiente të mbyllura

Pas dy vitesh, dje në seancën e qeverisë është marrë vendim të hiqet mbajtja e detyrueshme e maskës mbrojtëse nga KOVID-19, me përjashtim të transportit publik (autobus, tren, aeroplan, taksi. ), institucionet shëndetësore, barnatoret, institucionet e përkujdesit për personat e moshuar dhe personat me nevoja të posaçme.

Me propozim të Komisionit për sëmundje infektive, dje u pranua edhe vendimi për heqjen e ndalesës për organizimin e ekskursioneve dhe mësimit në natyrë në shkollat fillore dhe shkollat e mesme dhe lejohet puna me prezencë fizike e komisioneve mjekësore për përcaktimin e kompensimeve për invaliditet dhe komisioneve për përcaktimin e së drejtës për ndihmë dhe përkujdes nga person tjetër.

Sipas raportit javor të Institutit të Shëndetit Publik, javën e kaluar në periudhën 4-10 prill është vërejtur se vazhdon të ulet numri i të infektuarve, të shtruarve në spital dhe të vdekurve nga KOVID-19. Përqindja e pozitivitetit varion nga 2.4 në 10.6 për qind, mesatarisht 7.3 për qind.

Gjatë ditës së fundit, sipas të dhënave të ISHP-së, janë kryer 2290 teste, ndërsa janë regjistruar 150 raste të reja me KOVID-19. Janë shëruar 246 pacientë dhe ka vdekur një person nga Demir Hisari në moshën 68 vjeçare në kushte spitalore.

Shumica e të infektuarve janë nga Shkupi-83, ndërsa në kryeqytet janë 583 raste aktive. Aktualisht nuk ka asnjë rast aktiv me koronavirus në Berovë, Dibër, Makedonski Brod, Makedonska Kamenicë dhe Probishtip.

Deri më 6 të këtij muaji, me të paktën një dozë të vaksinës KOVID-19 janë vaksinuar 873 332 persona brenda dhe jashtë vendit. Të vaksinuar plotësisht (me dy doza) janë gjithsej 853.786 persona, ndërsa me dozë të tretë 155.817 persona.

Deri më tani në vend janë kryer gjithsej 1.986.783 testime të KOVID-19. Numri i përgjithshëm i personave të diagnostikuar me KOVID në vend që nga fillimi i epidemisë ka arritur në 307.967, numri i të shëruarve është 297.600, numri i të vdekurve është 9.256, ndërsa aktive janë 1.111 raste.