Skandaloze/ Sindikata e arsimit rrefuzon rritje prej 10% të rrogave në kohë krize dhe vazhdon grevën

Greva e përgjithshme e Sindikatës së Pavarur për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SASHK), do të vazhdojë edhe më tutje. Këshilli i SASHK-ut në mbledhjen e sotme ka vendosur të mos e pranojë propozimin e Qeverisë prej 10 për qind rritje të pagave me çka do të ndërpritej greva e filluar më 11 prill.

Një nga arsyet pse ky propozim është hedhur poshtë nga SASHK-u është pasi i njëjti ka qenë i propozuar gojarisht, jo në formë të shkruar, informon SASHK-u ku shtojnë se mbi 95 për qind e organizatave sindikaliste të SASHK-ut janë deklaruar për refuzimin e ofertës së dhënë gojarisht.

Kryetari i SASHK-ut, Jakim Nedellkov në konferencën për shtyp ka thënë se anëtarët e SASHK-ut reagojnë ndaj qasjes joserioze të kompetentëve që siç tha, “dy muaj po negociojnë me përfaqësues të SASHK-ut, ndërsa realisht nuk japin asnjë propozim konkret nga kërkesat e dorëzuara me shkrim nga ana e SASHK-ut”.

“Anëtarët e SASHK-ut konstatojnë se kjo qasje nga ana e Qeverisë nuk çon në drejtim të zgjidhjes së shpejtë të problemit dhe ndërprerjes së grevës. Rritja e pagave prej 10 për qind në mbrojtjen e fëmijëve, arsim fillor dhe të mesëm aspak nuk korrespondon me lartësinë e rritjes së pagës minimale këtë vit dhe nuk është nxitje adekuate për kthimin e dinjitetit të profesionit”, tha Nedellkov.

SASHK refuzoi rritje mesatare të pagave prej 2.500 denarëve, vazhdimi i grevës, papërgjegjësi

Nga Qeveria kanë reaguar pas refuzimit të ofertës për rritje të pagës për 10 për qind. Nga ekzekutivi vendimin e Sindikatës së Arsimit, Kulturës dhe Shkencës për të vazhduar grevën e quajnë të papërgjegjshëm.

“Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në negociatat me SASHK-un ka ofruar rritje prej 10% të pagave që do të sigurohet nga buxheti plotësues. Kjo do të thotë se arsimtarët dhe edukatorët do të kenë një rritje mesatare prej 2.500 denarë në të ardhurat e tyre mujore. Njëkohësisht, metodologjia me të cilën Qeveria do të sigurojë rritje të vazhdueshme të pagave, do t’i japë zgjidhje të përhershme statusit social të punonjësve në arsim. Qeveria konsideron se është e papërgjegjshme, përkundër zgjidhjes së ofruar për rritjen e pagave në arsim dhe përkujdesjen dhe edukimin e fëmijëve, të vazhdohet me grevën dhe të shkatërrohet procesi tashmë i krijuar arsimor në kushtet kur po përballemi me krizë ekonomike dhe shëndetësore”.