E, Sela – Taravari, i ndihmuat Danellës, tash vilni “frytet” e shkurtpamësisë tuaj!

-Nuk ua respektojnë gjuhën, për të cilën votuat ju ligjin, ua ndajnë mjetet për kulturë në relacionin 15 me 1, nga vendet udhëheqëse ju dhanë vetëm thërmitë…Me “dashuri pa kushte” nuk mbrohen kauzat!
Nuk është kjo shpikje e opozitës shqiptare, është një “urtësi” e makiavelistëve kur duan diçka të arrijnë me çdo kusht. E sprovoi edhe opozita shqiptare në momentet e saj të dobësisë. Kur me vota nuk munden të pozicionohen ashtu si do të donin kundrejt “dushmanit” të tyre që s’i dilnin dot ballë me vote, zgjodhën metodën tjetër. Dosido, t’i arrinin qëllimit, qoftë duke u ulur me djallin.
Deshën ta rrëzojnë BDI-në, me ndihmën e VMRO-së dhe Të Majtës. Investuan shumë energji dhe emocione. Perspektivën dukej se e kishin të sigurt, dukej ashtu nga buzëqeshja e Taravarit përskaj Apasievit e Mickovskit. Perspektiva dukej e sigurt edhe në koalicionimin në zgjedhjet lokale me VMRO-në, një bashkëpunim shqiptaro-maqedonas në bllokun opozitar. I ndihmuan Danellës në Shkup dhe fituan edhe një pozicion “të fortë”, Danella ua dha pozitën e nënkryetares së Shkupit…Dhe aq!
Por, gjithë kjo duket tash një punë djalli, sepse sipas asaj popullores së popujve fqinj, djalli i bie pas të vetes! Del se përkrahja e verbër kishte qenë “një dashuri” pa kurrfarë kushtesh. Duket se edhe Danella do ta ketë thënë se s’kanë pas ndonjë marrëveshje! Kjo më së miri u pa jo vetëm nga heqja e shqipes nga përdorimi i QIK-ut, ku vite me radhë kishte shkëlqyer si me çështjet organizative, si me shembullin e respektimit të dygjuhësisë Sermine Purrini, por edhe nga ndarja e mjeteve buxhetore për kulturë. Danella ashtu e kishte kuptuar barazinë: siç shkruan gazeta Koha, një milion festivalit të këngës për fëmijë “Zllatno slavejçe” dhe 70 mijë festivalit “Ylberi” Një me 15?! Bravo i qoftë asaj, ajo e ka agjendën e vet dhe e çon deri në fund. Bravo dhe juve për besimin e verbër asaj!
E, ore z. Sela, pas të gjithave, pak kohë më parë the se nuk je bërë pishman për bashkëpunimin! E po mirë e ke…tash mund t’i vjelësh “frytet” e atij bashkëpunimi PA KUSHTE.
Nuk se është gabim të bashkëpunosh me partitë tjera, jeta dhe politika të çojnë. Por, çdo bashkëpunim do kushte dhe ka ndonjë marrëveshje prapa. Po del se ju e përkrahët një opozitë me të kaluar dhe të tashme tejet të definuar për qëndrime problematike ndaj çështjeve si përdorimi i gjuhës dhe i barazisë në përgjithësi. I ndihmoni ju asaj dhe ajo rrënon gjithë atë që për ju është kauzë kombëtare!
Na falni, po nuk ju ka faj BDI-ja që zgjodhët ata që sot pikërisht juve ju tallin. Ata tallen me ligjin që ju e keni votuar, atë të gjuhës. Është e udhës që të kërkoni sqarim jo vetëm për pakësimin e vendeve udhëheqëse në Shkup(Danella para do kohe tha se s’ka pasë diçka të tillë si marrëveshje!), qoftë për mjetet buxhetore. A menduat se do të mbetet fshehur se si janë ndarë ato?