E, more Marti, more Marti… A zbulove atë urtësinë e asaj fjalës popullore serbe “Ko s’đavolom sadi tikve, tikve će mu po glavi“(duhet të ta përkthejë dikush në gjuhën tënde: Kush mbjell kunguj me dreqin, kungujt(një ditë) të mëshojnë kokës!)…Të paskan bërë shërbimet serbe “target”për të të vrarë e fajin t’ua hedhin shqiptarëve. Shyqir që e the me gojën tënde!
Nga Daut DAUTI
- “MUKE PO MARTY”!
Të sqaroj konfuzionin e titullit të këtij kapitulli, mos të ngelë diçka e paqartë. Është në gjuhën kroate. Është një film i regjisorit kroat Lordan Zafranoviq, i fillimeve të karrierës së tij artistike, nga mesi i viteve 70-të. Më vonë do të bëhet i njohur me filmat “Okupimi në 26 pamje” dhe “Rënia e Italisë” dhe disa të tjerëve më pak të suksesshëm, por para tyre e bëri filmin “Muke po Mati”, që shqip përkthehet “Vuajtjet e Mates” ose “Mundimet e Mates”. Flet për një boksier të ri, i cili përballet me sfidat e jetës, në ring dhe në jetë…Po nuk do ta rrëfejmë filmin, me rëndësi është titulli, sepse tingëllon shumë përafërt dhe bukur “Muke po Marty”, ose “Vuajtjet (mundimet) e Martit”… Shumë aktual.
Pra, e kemi edhe protagonistin të ngjashëm për nga emri i filmit të Zafranoviqit (Marti me Maten), dhe vuajtjet. Troç. Në një emër, në një person. E dini, pra, ky Dik Marti i famshëm, që shpiku atë Shtëpinë e Verdhë në Shqipëri ku, sipas tij, paska qenë ajo klinika makabër ku serbëve të zënë rob iu paskan nxjerrë organe dhe u janë shitur. Kjo, pastaj, është bërë strumbullar për propagandën serbe që të vazhdojë rrëfimet e sajuara për gjoja krimet e UÇK-së, e ndërkohë të ngritët në nivel të vuajtjeve serbe në Kosovës, të bëhen romane e madje dhe film, në vend të narracionit tjetër realist për krimet serbe… Gjithçka me dorën e këtij Dik Martit, i cili nuk kishte televizion apo mikrofon apo faqe gazete ku ai dilte, e të mos shprehte bindjen e tij se po e thoshte të vërtetën. Sidomos i pranishëm në publikun serb.
Por, ishte fare e tejdukshme se “të vërtetat” e tij burimin e kishin te shërbimet serbe. E shërbimet serbe, dinë mirë të bëjnë sajesa dhe ato t’i shesin si të vërteta. Ato i vranë vetë ata djemtë e rinj serbë në një lokal në Pejë, “Panda”, këtë e kanë pohuar më vonë me gojën e vet edhe Vuçiqidhe shumë njerëz të tjerë të udhëzuar, dhe për këtë i akuzuan shqiptarët. Para botës duhej të tregonin se shqiptarët vrasin civilë të pafajshëm serbë. Por, e vërteta vonon, po nuk harron. Një krimb që bren ndërgjegjen prej brenda nuk i la vetë serbët të mos e thonë të vërtetën e rastit. Më mirë vonë, e të çliruar nga pesha e ndërgjegjes, se kurrë, e me barë të rëndë në shpirt.
Po t’i kthehemi Martit, i cili me vite “e këndonte këngën” për atë shtëpinë e verdhë dhe ia arriti që të krijojë mozaikun për krimet e UÇK-së dhe kur u ngritën dhomat speciale të Gjykatës së Hagës, u harrua fare “materiali dëshmues” i tij për shtëpinë e verdhë, edhe pse ajo do të ishte pjesa më atraktive për të akuzuar dikë. Dhe shtëpia e verdhë ndoshta më nuk i duhet askujt, qëllimi ka qenë propagandistik, të krijohet një percepcion i atyre që ia kanë dhënë “materialet”… As vetë Marti më nuk iu duhet serbëve, por, ja, dreq o punë, serbëve iu duhet Marti, prapë për qëllime propaganduese. Iu desh ai, jo i gjallë, por i vdekur dhe autoritetet zvicerane paskan zbuluar një plan komploti ndaj Martit, për ta likuiduar atë. Dhe, prapë, për ta vënë në lojë të propagandës. Ta vrasin shërbimet serbe, e fajin t’ua hedhin shqiptarëve. Pse jo? Shqiptarët e kanë bërë figurën më të zezë gjatë këtyre viteve, më të urrejtur, dhe logjikshëm do të dukej që duke e urryer atë, dhe të bëjnë plan për ta vrarë!
E, more Marti, more Marti… si duket vetja tash, i izoluar e imbrojtur ngase je i rrezikuar pikërisht nga ata që u ke shërbyer këtyre viteve, a?! A zbulove atë urtësinë e asaj fjalës popullore serbe “Ko s’đavolom sadi tikve, tikve će mu po glavi“ (duhet të ta përkthejë dikush në gjuhën tënde: Kush mbjell kunguj me dreqin, kungujt(një ditë) të mëshojnë kokës!). Të paskan bërë shërbimet serbe “target”për të të vrarë e fajin t’ua hedhin shqiptarëve. Shyqir që e the me gojën tënde!Ja pra, vuajtjet tua, psikike e fizike, se nuk është lehtë të jetosh i izoluar dhe në frikë nga ata që sot më të konsiderojnë limon i shtrydhur që duhet hedhur në plehra…
Është ndjenjë e keqe…S’u duhesh më, argatllëku ka përfunduar…
- VUAJTJET SHPIRTËRORE MILIONËSHE…
Eh, këto vuajtje s’po kanë fund! Si ato të Verterit të Gëtes…Ama i ri, i gjori, por vuajtjet nuk zgjedhin moshë…Vuajtjet i ndjen njeriu brenda vetes, i ruan si gjarpri këmbët, por ndonjëherë kërkojmë ndonjë mik a të afërm për ta hapur shpirtin. E ndjejmë veten më lehtë…E ka vuajtje që ndahen me krejt botën, sepse ashtu e do puna…Ju kujtohet Gruevski? Kishte pësuar “lëndim shpirtëror” pse lideri opozitar i kishte thënë se ka qenë i gatshëm të pranojë ndryshimin e emrit në Samitin e NATO-s në Bukuresht më 2008-ën. Ku e ndërronte Gruevski emrin, shpifje! Dhe, paf, në gjyq Zaevin…Kot Zaevi i shkretë përpiqej të dëshmonte se nuk ka shpifur, se këtë gjë ai e kishte dëgjuar nga ministri i Gruevskit që kishte raportuar në komision kuvendor e ku kishte thënë se delegacioni i Maqedonisë kishte shkuar në Bukuresht i gatshëm për emrin “Republika e Maqedonisë(Shkup)”. Jo, shpifje, shpifje dhe ndjenja shpirtërore të lënduara… Lëndimi shpirtëror i vlerësuar nga “i lënduari” në gjysmë milioni euro. Ama, në fund për shkak të “mirësisë” së tij, Gruevski ishte pajtuar “vetëm” me 50 mijë. Pa hiq nuk shëroheshin vuajtjet… Dhe gjyqi ia shëroi plagët. Për lëndime të ngjashme dhe Berisha padit sekretarin amerikan. Po zor se ia shërojnë ndjenjat në gjyqin e Parisit, do zgjatet ajo punë, vuajtjet s’do të kenë fund. Kolegu i tij para disa vjetësh, Nano, për këso ndjenjash të lënduara, kishte marrë një milion e gjysmë euro, nëse shifra s’është edhe më madhe, nga një gazetë italiane. Ama, të gjitha këto s’janë asgjë kundrejt aktorit Xhoni Dep, të cilit, ish-e dashura e tij ia paska lënduar shpirtin hiq më pak se për 50 milionë dollarë…! Fijet e ndjenjave shpirtërore duhet t’i ketë prej floriri ose safiri, qyshse kërkon aq, nuk riparohen lehtë! Njësoj edhe ish e dashura, ajo kërkon dyfishin, sepse i ka kalkuluar vuajtjet shpirtërore me ato fizike…Vetëm tatari e di si do të përfundojë baraspeshimi vuajtjeve shpirtërore të njërit dhe tjetrës…
Po njerëzit e rëndomtë, të cilëve vazhdimisht u lëndohen ndjenjat, kush t’ua shpaguajë?!
“Ku po shkon kjo botë”, jehon në veshë ajo replika e famshme e Hekrit nga “Portokallia”.
- PSE JO RUDINA HAJDARI NË KRYE TË PD-SË?!
Thonë se fatkeqësia asnjëherë nuk vjen vetëm. Edhe te kjo përçarja e Partisë Demokratike. Tamam Berisha me presion arriti ta largojë Bashën dhe nisi procesin e bashkimit të dy rrymave, zonja ambasadore e Amerikës, Juri Kim, u kujdes që “kryetarin në detyrë”, Alibeajn, ta shpallë kryetar! Pa qenë kryetar.
Kur i shohim gjithë këto lojëra, kur Berisha tashmë e siguroi zyrën në PD, e Alibeaj vazhdon jashtë betejën ligjore që u humb në aktin e parë, shumëkush e mendon një skenar se si t’ia bëjnë që të jetë ujku i ngopur, edhe tufa e paprekur. Me Berishën në krye, kjo nuk mund të ndodhë, me gjithë ambiciet e tij personale për ta larë veten dhe përkrahjen e shumicës së demokratëve, sepse anatema e zonjës Kim do të binte mbi gjithë partinë. E zonja Kim duhet të dijë se me Alibeajn,sikundër edhe me Bashën, nuk bëhet partia e as arrihet uniteti, nëse nuk është qëllimi të mos ketë diçka të tillë. Ndaj, ajo që ia kanë thënë Berishës të tërhiqet, ndoshta është momenti ta bëjë dhe t’ia lë dikujt tjetër frerët e partisë. Por kujt?
Unë në shaka e kam thënë se duhet një figurë e re dhe simpatike për publikun e gjerë, siç është zëdhënësja e Berishës, ish-misi i Shqipërisë dhe ish-manekenia, Floriana Garo. Por, imazhi i saj ende lidhet me profesionin e saj dhe ky mund të ishte një hendikep, ndaj, sipas mendimit tim, personi më i përshtatshëm, edhe për shkak të origjinës, por edhe për shkak të një lloj përvoje dhe pjekurie që ka arritur deri tash, është Rudina Hajdari, vajza e Azem Hajdarit. Mendoj se ajo do të mund t’i bashkonte rrymat në emër të konsolidimit të partisë dhe të krejt opozitës, ndryshe nga Berisha, kundër të cilit sigurisht se do të mbeten rezervat e zonjës Kim, përforcuar nga qëndrimet e Eskobarit, por dhe të grupacionit të Alibajt e Bashës. Rudina ka origjinën fisnike për PD-në, duke qenë vajzë e Azem Hajdarit, që do të ishte një autoritet i denjë për ta zëvendësuar Berishën, ndërkaq ky i dyti, duke ndenjur anësh, mund ta vazhdojë betejën për pafajësinë e vet, pa e dëmtuar autoritetin e Partisë.
Ka dhe një kandidat tjetër: Florian Binaj. Qëkur u largua nga “Portokallia” dhe doli në protesta, praktikisht ka mbetur pa angazhim. Një ditë në këtë kënd thashë pse jo të kyçet në politikë. Në këtë s’ka dyshim se do t’i ndihmonte Zelenski. Florian Binaj nuk është më pak humorist se ai, e pse të mos bëhet politikan i suksesshëm si ai. Skena politike shqiptare vuan për një figurë të re opozitare.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)