ISHP: Brenda një jave – 806 raste të reja dhe dy viktima

ULET NUMRI I TESTEVE, INFEKTIMEVE TË REJA, HOSPITALIZIMEVE DHE I VDEKJEVE

Vazhdon trendi I uljes së numrit të testeve për COVID-19, të infektimeve, hospitalizimeve dhe viktimave nga koronavirusi.

Sipas raportit të ISHP-së, për periudhën nga 11 deri më 17 Prill, janë kryer 12.663 teste për COVID-19, kurse janë regjistruar 806 raste të reja me ulje prej 26.9% në krahasim me javën paraprake.

Gjatë javës së kaluar betejën me koronavirusin e kanë fituar 1.108 pacientë – 25.9% më pak se java e shkuar. Ka pasur 130 riinfektime dhe 2 raste që kanë përfunduar me fatalitet apo 81.8% më pak se java paraprake. Në vendin tonë dominues mbeten nënvariantet BA.1 dhe BA.2 të Omicronit.

Sipas raporteve nga Spitalet, për momentin të hospitalizuar janë 55 pacientë – 12.7% më pak se java paraprake. 21 prej tyre janë me oksigjeno-terapi.

Deri më 16 Prill, sipas raportit të ISHP-së, një dozë të vaksinës e kanë marrë 873.833 qytetarë, me dy doza janë vaksinuar 854.801 kurse me dozë të tretë janë vaksinuar 157.676 qytetarë.

ISHP-ja njofton se që nga fillimi I pandemisë në vendin tonë janë regjistruar 308.620 raste me COVID-19, 12.265 riinfektime dhe 9.262 viktima, prej të cilëve 7.283 apo 83.1% kanë pasur sëmundje shoqëruese.

Sipas kategorizimit të rrezikut dhe vlerësimit të situatës, Maqedonia e Veriut është në fazën e transmisionit të gjerë, nën niveli 1, me kapacitete adekuate për përgjigje – thuhet në raportin javor të ISHP-së.