Reagon Lista ”Më mirë për Tetovën”: Kërkojmë sqarim për dëmet e ambientit

Me keqardhje ju njoftojmë që nëpërmjet të komunikatës të lëshuar nga Komuna e Tetovës jemi njoftuar në lidhje me ndërprerjen e punimeve në rrugën “Strasho Pinxhur”, ku Komuna e Tetovës si arsye për ndërprejen e punimeve jep “mosmarrëveshje” me Listën “Më mirë për Tetovën”, thuhet në Kumtesën e Listës “Më mirë për Tetovën” .

-Lista “Më mirë për Tetovën” dhe Këshilltarët e sajë nuk kanë ndonjë post ekzekutiv në Komunën e Tetovës, rrjedhimisht edhe nuk posedojnë mekanizmat për ndalimin apo vazhdimin e punimeve në qytet.
Lista “Më mirë për Tetovën” nuk ka kërkuar ndalimin e punimeve në rrugën “Strasho Pinxhur”, vendimi për ndalimin e punimeve është arbitrar dhe është vendim i njëanshëm i udhëheqësisë së Komunës së Tetovës.

-Në punën e saj të deritanishme, Lista “Më mirë për Tetovën” gjithmonë është udhëhequr nga interesat e qytetarëve dhe nga parimi i kontributit konstruktiv. Kësisoj, kemi vendosur kapacitetet tona në shërbim të Komunës për gjetjen e zgjidhjeve për problemet me të cilat ballafaqohemi të gjithë. Më tej, nuk kemi kërkuar shkëmbim postesh ose favore për punën që bëjmë. Ndërsa këshilltarët tanë rregullisht kanë dhuruar rrogat e tyre për projekte në të mirën e qytetit. Këto janë dëshmi bindëse për qasjen tonë pozitive ndaj Tetovës dhe banorëve të sajë.

-Reagimi jonë i djeshëm ka të bëjë me shqetësimin e qytetarëve për dëmin që iu shkaktua ambientit dhe mënyrën jotransparente të punës. Shqetësimin tonë e shprehëm në mënyrë publike, dhe për hir të transparencës kërkuam sqarim. Udhëheqësia Komunale publikisht premtoi që do të ndalojë prerjen e panovojshme të pemëve dhe do të paraqes elaborat që arsyeton nevojën për prerjen e të tjerave.

-Kujtojmë opinionin e gjërë se udhëheqësia e re Komunale ishte betuar që ambienti, transparenca dhe llogaridhënia janë shtyllat kryesora për të cilat angazhohen. Mirëpo veprimi i djeshëm dhe ndërprerja arbitrare e punëve sot dëshmojnë të kundërtën. Ambienti është dëmtuar, deri më tani nuk është prezantuar elaborat për punën e paraparë, dhe askush nuk mban llogari për këtë.

-E ftojmë udhëheqësinë Komunale që të tejkalojë mendësinë destruktive, t’i qëndrojë besnike premtimeve parazgjedhore dhe mbi të gjitha të vendos interesat e qytetarëve në rradhë të parë.
Sajimi i mosmarrëveshjeve në dëm të qytetarëve për përfitime politike është i paarsyeshëm dhe përkon me mendësinë e të kaluarës të cilën Tetovarët shpresonin që nuk do t’u përsëritet më.

-Gjithashtu, për hir të korektësisë ndaj qytetarëve dhe për të mënjanuar manipulimin e publikut, e ftojmë udhëheqësinë e Komunës të prezantojnë dëshmi ku Lista “Më mirë për Tetovën” kërkon ndërprerjen e punëve në rrugën “Strasho Pinxhur”.

-Interesat e Tetovës dhe banorëve të sajë mbi të gjitha!