Në një shkresë me shkrim e Avokatit të Popullit adresuar Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës ka qenë shkak i një reagimi të opozitares Aleanca për Shqiptarët (ASH) për mos respektim të gjuhës shqipe në komunikimin e dy zyrtareve shtetërore shqiptar, informon PRESSonline.mk
“Opinioni ishte dëshmitar i një skandali të dy zyrtarëve të BDI-së të cilët edhe pse që të dy janë të deklaruar si shqiptarë, komunikimin e zhvilluan vetëm në gjuhën maqedonase, duke mos respektuar të paktën dygjuhësinë. I ashtuquajturi Avokati i Popullit, Naser Ziberi, në një shkresë dërguar Ministrit për Arsim, Jeton Shaqiri, kishte tentuar edhe një herë të bëjë presion mbi arsimtarët që ta ndërpresin grevën. Edhe pse që të dy funksionarët janë të deklaruar si shqiptarë, shkresa ishte dërguar vetëm në gjuhën maqedonase. Këtë shkresë, si të tillë dhe vetëm në një gjuhë, me mburrje e kishte publikuar Ministri Shaqiri”, thuhet në reagimin e ASH-së.
Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës thonë se shkresa e Avokatit të Popullit në Ministri është adresuar në gjuhën shqipe dhe maqedonase
“Shkresa e Avokatit të Popullit në Ministrit i është adresuar në gjuhën Shqipe dhe Maqedonase. Njoftimi i ministrit Dr.Jeton Shaqiri ka qenë në dy gjuhë shqip dhe maqedonisht, ndërsa shkresa e Avokatit të Popullit është po ashtu në dy gjuhë. Nuk shohim këtu nevojë për shqetësim”, thonë nga Ministria e Arsimit.
Ndërkohë, në rrjetin social Facebook në profilin zyrtar të Ministrit, Jeton Shaqiri mund të konfirmohet ajo çfarë pohojnë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.