Barcelona është kandidatja kryesore për të siguruar shërbimet e sulmuesit polak, Robert Levandovskit, për sezonin e ardhshëm dhe kampionët e Gjermanisë do të duhet të gjejnë një numër 9 të ri për të zënë vendin e tij. Lojtari i zgjedhur nga Bajerni, siç ka bërë të ditur e përditshmja spanjolle “AS”, duket se është sulmuesi i Ajaks-it, Sebastian Haller.
27-vjeçari ka shënuar 33 gola për Ajaks-in deri tani në këtë sezon dhe duket se është kontaktuar nga drejtuesit e klubit bavarez në ditët e kaluara. Qëndrimi zyrtar i Bajern Munihut është se duan ta mbajnë Levandovski-n, por nuk kanë bërë akoma asnjë lëvizje për të rinovuar kontratën e polakut që skadon në vitin 2023. Kjo situatë duket se e ka bezdisur Leva-n.
Haller nuk është i vetmi lojtar i Ajaks-it, i cili është vënë në shënjestër nga gjigantët e Gjermanisë. Edhe mesfushori Rajan Gravenberh dhe mbrojtësi i krahut Nousair Mazraoui mund të transferohen te bavarezët gjatë kësaj vere.