Real Madrid ka humbur kundër Man. Sitit (3-4) në gjysmëfinalen e parë të Ligës së Kampionëve. Edhe këtë herë ka qenë vendimtar Karim Benzema, i cili ka shënuar dy nga tre golat për “Los Blancos”. Një nga këto gola ka ardhur me penallti. Një penallti e gjuajtur me stilin e famshëm “Panenka”.
Një gjest teknik që ka befasuar spektatorët, por jo shokët e skuadrës. Në fakt, Rodrigo ka zbuluar një prapaskenë interesante për kanalin spanjoll “Moviestar +”.
“E kemi parë të gjithë çfarë është në gjendje të bëjë Karim. Besoj se po stërvitej për ta gjuajtur penalltinë në atë mënyrë. Po, sepse gjatë javës e ka provuar shpesh panenka-n në stërvitje.
E kam parë ta bëjë shpesh dhe e ka parë edhe pjesa tjetër e ekipit. Mendoj se kur ka shkuar për ta gjuajtur penalltinë shumë prej nesh, edhe në stol, e dinin se do ta gjuante në atë mënyrë. Duhet shumë guxim dhe besim në vete. Dhe ai e ka bërë”, ka thënë Rodrigo pas ndeshjes.