Sot, dita kur u themelua partia që nuk ekziston më!

“DATA kur u themelua Partia ma e madhe e shqiptarëve te Maqedonisë PPD me 26 deputetë me kryetar NEVZAT HALILIN legjendar…e sot pa asnje deputet… shumë keq na ka mallku, krye s’jemi duke çue…”!
Kështu diplomati Daim Ilazi dhe njëri nga ish-aktivistët e shquar të Partisë së Prosperitetit Demokratik, një psotim në facebook e ka përkujtuar me zemër të plasur, ditën e themelimit të partisë së parë dhe më të madhe të shqiptarëve në fillim të pluralizmit.
Partia për Prosperitet Demokratik ishte themeluar në vitin 1990 dhe qëndroi në pushtet për dy mandate të para dhe në qeverinë gjithëpërfshirëse të unitetit politik gjatë konfliktit të vitit 2001.
Kjo parti mori teposhtëzën pas zgjedhjeve të vitit 2002, kur u gjet në sandviç ideologjik midis Bashkimit Demokratik për Integrim, si parti e moderuar, çfarë dikur ishte PPD-ja dhe Partisë Demokratike Shqiptare me imazhin e një subjekti më radikal, me çka nuk kishte më hapësirë veprimi brenda realitetit të ri politik.
Kryetar i parë i Partisë së Prosperitetit Demokratik ka qenë Nevzat Halili, ndërkaq pas dorëheqjes së tij, kanë vazhduar ta udhëheqin kryetarë të ardhshëm me mandat më të shkurtë ose më të gjatë, si Xheladin Murati, Abdyrahman Aliti, Abdylhadi Vejseli, Abdylmenaf Bexheti, dhe të tjerë, në përpjekje të pasuksesshme për ta ringjallur.