Liverpulli është në bisedime për të siguruar një sponsorizim prej 95 milionë euro në sezon. Një pako që do të bëhej më fitimprurësja në botën e futbollit. Marrëveshja e klubit anglez me “Standard Chartered” përfundon në fundin e sezonit 2022/23 dhe tani kanë filluar negociatat për rinovimin e saj.
Marrëveshja aktuale ka një vlerë prej 40 milionë sterlinash (rreth 47 milionë euro) në sezon, por edhe pse klubi dhe banka britanike e konsiderojnë marrëveshjen një sukses të madh, duket se “Standard Chartered” do të duhet ta dyfishojë ofertën në mënyrë që bashkëpunimi të vazhdojë.
Liverpulli ka fanellën më të shitur në botën e futbollit, sipas ekspertëve të marketingut, me drejtuesit e klubit që presin që shitjet të jenë mbi 2 milion për herë të parë në këtë sezon.
Gjërat po shkojnë shumë mirë për “Të Kuqtë” edhe në fushën e lojës. Skuadra e Jurgen Klop, në fakt, është në garë për t’i fituar të katër trofetë e sezonit. Një arritje që nuk është realizuar kurrë më parë në histori.